08:20 / E Martë, 31 Tetor 2023 / AR

Rashica me postim motivues pas asistimit që e bëri

Milot Rashica e ka bërë një postim motivues pas asistimit që e bëri në fitoren e djeshme të Besiktasit me rezultat 2:0 ndaj Gaziantep FK.

Ylli kosovar e shërbeu për mrekulli bashkëlojtarin Tosun, i cili shënoi me kokë në minutën e 75-të, ndërsa paraprakisht i njëjti lojtar e kishte shënuar edhe golin e parë të Bardhezinjve në minutën e 63-të me asistim të Oxlade-Chamberlain.

Vushtrriasi e bëri një postim pas lojës duke e shprehur gëzimin që ekipi nga Stambolli i mori tri pikë në këtë takim, ndërsa shpreson që ai me shokë të vazhdojnë në këtë mënyrë edhe në ndeshjet e ardhshme.

“U rikthyem në rrugët e fitoreve. Tash duhet të vazhdojmë kështu”, shkroi ish-futbollisti i Werder Bremenit, Norwich Cityt e Galatasarayt në Instagram.

Besiktasi aktualisht gjendet në pozitën e katërt në tabelë me 19 pikë të grumbulluara nga 10 ndeshje të zhvilluara, 11 pikë më pak se lideri Fenerbahçe.

Përfaqësuesi kosovar iu bashkua verën që shkoi Besiktasit, i cili e bleu përfundimisht kartonin e tij, ndërsa paraprakisht e kishte kaluar një sezon të suksesshëm në formë huazimi po ashtu në Stamboll, por tek gjiganti tjetër – Galatasaray. 

Mos i humb