17:57 / E Mërkurë, 28 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Reagime të shumta për përjashtimin e Agjencisë për Akreditim nga EQAR

Përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), po konsiderohet si goditje për arsimin kosovar.

Të shumta kanë qenë reagimet lidhur me këtë çështje, por një i tillë nuk ka ardhur nga Ministria e Arsimit. Ndërkohë, e njëjta nuk ka hezituar së dërguari njoftime se mësimi nuk do të mbahet këtë javë për shkak të motit të ligë, transmeton Indeksonline.

Një nga personat që ka reaguar lidhur me përjashtimin e AKA-së nga EQAR, është ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi. Sipas tij, kjo nënkupton që diplomat e arsimit të lartë nga universitetet publike a private, mund të mos njihen.

Thaçi ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet e vendit, duke thënë se Qeveria dhe MAShT-i duhet të marrin masa të menjëhershme për të rikuperuar dëmin e madh në arsim.

“Përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) është vërtet goditje e rëndë për arsimin e lartë të Kosovës dhe për institucionet e arsimit të lartë publike e private të Kosovës. Ky përjashtim i AKA-s nga EQAR mund të ketë pasoja të mëdha për arsimin e lartë të Kosovës. Pas këtij vendimi, AKA më nuk shihet si kredibile nga institucionet simotra evropiane e ndërkombëtare, rrjedhimisht diplomat që lëshohen nga institucionet e arsimit të lartë të Kosovës, publike e private, mund të mos njihen si kredibile apo edhe mund të kontestohen e të mos pranohen nga universitete e shtete të ndryshme evropiane e ndërkombëtare. Ky është një prapakthim i pafalshëm në fushën e arsimit të lartë të Kosovës dhe institucionet e vendit duhet dhënë përgjegjësi për këtë. Veç kësaj, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit duhet urgjentisht të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që të rikuperohet ky dëm i madh për arsimin e lartë të vendit. Në të njëjtën kohë, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit duhet ta kuptojnë qe po qe se dëshirojmë të bëhemi pjesë e botës së qytetëruar, atëherë duhet të sillemi sipas parimeve, standardeve e rregullave që kërkon qytetërimi”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Indeksonline.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kërkuar përgjigje nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

“ALARM!!! Agjencia e Akreditimit e Kosoves eshte perjashtuar nga EQAR ( Asosacioni Evropian per Sigurim te cilesise ne Arsimin e Larte) si pasoj e nderhyrjeve politike ne kete Agjenci. Perjashtimi i AKA-se nga ky institucion dmth qe diplomat e studenteve kosovar do shihen me nje sy tjeter ne evrope. Minister a ke diçka me na thane???”, ka shkruar ajo në reagimin e saj, përcjellë Indeksonline.

Deputeti i LDK-së, Fidan Rekaliu ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjigje nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, si dhe do të kërkojë informata shtesë nga MAShT.

“Politikat e ndërhyrjes qeveritare sollën perjashtimin e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Larta. Përveç dëmtimit të reputacionit të vendit, ky akt ka edhe dëme për studentët kosovarë, duke krijuar mundësi për mos-njohje të diplomave të tyre. Në ditët në vijim, në cilësinë e deputetit dhe anëtarit të Komisionit Parlamentar për Arsim, do të kërkoj përgjegjësi dhe informata shtesë nga Ministri i Arsimit. Kjo sjellje e papranueshme tregon edhe njëherë nevojën për ndryshim të shpejtë të kësaj qeverisje”, ka shkruar ai./Indeksonline/