11:33 / E Shtunë, 09 Qershor 2018 / indeksADMonline

Reagimi emocional i Ramush Haradinajt për vdekjen e Vokrrit: Dritë të pastë shpirti, Fadil

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ndihet tejet i trishtuar për vdekjen e hershme të Vokrrit. Kryeminstri e quan Vokrrin si motivues të madh dhe fitues në të gjitha betejat.

“I trishtë lajmi për vdekjen e hershme të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, i cili tërë jetën e shkriu, që t’i japë emër atdheut të tij, të cilin aq shumë e deshti dhe i qëndroi besnik deri në frymën e fundit.

Fadili ishte motivues i madh yni që na dha zemër për të dalë fitues nga të gjitha betejat!

Fadili kurdoherë ishte figura qendrore në fushën e blertë duke u sjellë bashkëqytetarëve buzëqeshje e gëzim edhe në kohërat më të rënda, kur pesha e dhunës peshonte mbi ta.

Ai u bë frymëzim për shumë breza sportistësh të Kosovës dhe ikonë e futbollit, jo vetëm në Kosovë, që nga vitet ’80, duke e fituar betejën e fundit, anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Dritë të pastë shpirti, Fadil!

Ngushëllime familjes Vokrri, FFK-së dhe të gjithë sportistëve.

Ngushëllime Kosovë!” shkruan Haradinaj.