11:00 / E Enjte, 22 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Reagon sërish ish-ambasadori Bosch: Pse nuk po reagon BE-ja asnjëherë ndaj Serbisë

I ashpër ishte mbrëmë reagimi i ish-ambasadorit të Holandës në Kosovë, Robert Bosch ndaj deklaratës së Përfaqësues së Lartë të BE-së, Federica Mogherini e cila kërkoi nga Prishtina heqjen e menjëhershme të taksës prej 100% të produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Bosch theksoi se Bashkimi Evropian asnjëherë nuk ka reaguar në drejtim të veprimeve të Serbisë, por po vazhdon të shndërrojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve në një proces tallje.

Kurse sot, Bosch ka thënë se ishte i fuqishëm reagimi i Përfaqësues së Lartë të BE-së, Federica Mogherini për taksën 100% që Kosova i vendosi produkteve serbe, por ai tutje ka pyetur se ku është deklarata e BE-së kundër Serbisë për thyerjen e pikës së 14 të marrëveshjes fillestare prej 15 pikësh të prillit 2013 në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes dy vendeve.

“Është rënë dakord që asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugët e tyre përkatëse të BE-së”, ka shkruar Bosch, duke përkujtuar këtë pikë të marrëveshjes, transmeton Indeksonline.

Sipas tij Serbia që nga fillimi po përpiqet vazhdimisht të bllokojë Kosovën dhe për këtë nuk ka përgjigje publike nga BE-je, kundër gjitha veprimeve të tyre që janë intensifikuar gjatë viteve të fundit.

“Për të mos përmendur deklaratat e pafundme të Daçiqit për vendet që votuan për Kosovën dhe sidomos për kancelarin Kurz, në aplikimin për Interpol, çfarë nervash ka ai djalë? BE, nuk harron të flasë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por t’i përkujtojmë Serbisë përgjegjësitë veçanërisht lidhur me marrëveshjet e energjisë dhe diplomave. Me veprimet e tyre, ata po bëjnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve, si një tallje”, ka ripërsëritur Bosch.

Pas vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës, i ashpër ishte reagimi i Bashkimit Evropian, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të kësaj takse, që sipas tyre shkel marrëveshjen e CEFTA-s dhe Stabilizim Associmit./Indeksonline/