20:22 / E Hënë, 31 Korrik 2023 / C E

Reali do ta largoj nga lista Gulerin, nëse i nënshtrohet operimit

Real Madridi mund të pezullojë licencën e Arda Guler deri në janar për shkak të lëndimit të tij.

“Los Blancos” ia dolën të mposhtin konkurrencën nga Barcelona për të transferuar talentin e ri turk për 20 milionë euro, transmeton Gazeta Express.

Guler shfaqi menjëherë aftësitë e tij gjatë stërvitjeve të para, duke lënë të kuptohet se paratë u shpenzuan në mënyrë të duhur.

Megjithatë, i riu më pas pësoi një lëndim. Pas ekzaminimeve mjekësore u vërtetua se ai ka pësuar një lëndim në meniskun e brendshëm të gjurit të djathtë.

Tani, pritet të shihet nëse do të ketë nevojë edhe për operacion. Një vendim pritet të merret gjatë ditëve në vijim.

Edhe pa operacion, Guler mund të humbasë deri në 12 ndeshjet e para, me La Liga që do të nisë më 12 gusht.

Ndërsa, nëse do të ketë nevojë që 18-vjeçari t’i nënshtrohet operacionit, ai do të mungojë edhe për një kohë më të gjatë – deri në 5 muaj.

Sipas “Mundo Deportivo”, kjo gjë që mund ta shtyjë Real Madridin ta çregjistrojë atë në mënyrë që të lirojë një vend në listë deri në janar.

Në afatin kalimtar të dimrit, që fillon më 1 janar, “Los Blancos” mund të regjistrojnë sërish Gulerin. Rregullorja e Përgjithshme e Federatës Spanjolle e lejon pikërisht këtë skenar.