Reali kundërshton ashpër që ndeshjet e La Ligës të luhen në SHBA
Vazhdojnë kundërshtimet e klubeve spanjolle, për zhvillimin e ndeshjeve jashtë shtetit.
Përmes një komunikate zyrtare, Real Madridi e kundërshton vendimin e La Ligës për zhvillimin e ndeshjeve në SHBA.
Fillimisht ka qenë presidenti i klubit Florentino Perez ai që nuk e ka përkrahur idenë e La Ligës për të luajtur jashtë kufijve të Spanjës dhe tani një komunikatë e nënshkruar nga drejtori gjeneral Jose Angel Sanchez e konfirmon qëndrimin e klubit madrilen.
“Fillimisht duam ta qartësojmë se Real Madridi nuk është informuar asnjëherë që La Liga ka bërë kërkesë për të luajtur ndeshjet në SHBA dhe kësisoj nuk është kërkuar opinioni ynë për këtë çështje”, thuhet në letrën e klubit.
“La Liga nuk e ka marrë pëlqimin tonë, ndonëse kjo ndikon në kompeticionin në të cilin ne marrim pjesë”.
“Nuk duhet ta harrojmë që liga është një kompeticion ku marrin pjesë 20 ekipe dhe jo vetëm dy dhe se është fundamentale që secili ekip të luajë ndaj secilit nga dy ndeshje, një në shtëpi dhe tjetrën jashtë , gjë që garanton barazinë e garave”.
“Si pasojë e kësaj, Real Madridi e kundërshton kërkesën që një ndeshje të luhet në stadiumin Hard Rock të Miamit, pasi kjo bie ndesh me barazinë e kampionatit”.
Fjala është për takimin mes Gironas dhe Barcelonës e paraparë të luhet më 20 janar në SHBA.