21:26 / E Mërkurë, 23 Tetor 2019 / indeksADMonline

Reçica: I bëjmë ftesë KQZ-së që menjëherë të ndërpresë procesin e numërimit të votave të jashtëligjshme nga Serbia

Skender Reçica nga Nisma Socialdemokrate është deklaruar para mediave lidhur me largimin e komisionerëve dhe vëzhguesve të koalicionit të tyre nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

Reçica ka deklaruar se në këto momente nga informacionet që kanë po tentohet të fillojë numërimi i votave të jashtëligjshëm të ardhura nga Serbia dhe që sipas tij janë në kundërshtim me ligjin zgjedhor që tregon qartë modalitetet se si duhet filluar proceduar për votimet me postë.

“Jemi këtu sonte për faktin se nuk duam të jemi pjesë e një procesi që tenton të fillojë për numërimin e votave që konsiderohet të jenë të jashtëligjshme që kanë ardhur nga rrugët ilegale që për qëllim kanë dëmtimin e procesit zgjedhor në vend.I bëjmë ftesë KQZ-së që menjëherë të shfrytëzojnë mandatin kushtetues dhe të ndërpresë këtë proces. Kjo gjë dëmton vullnetin e mbi 40 mijë qytetarëve që votuan për koalicionin AKR-NISMA”, tha Reçica, raporton Indeksonline.

Tutje ai tha se këtu po tentohet të cenohet demokracia dhe vullneti i qytetareve i deklaruar me datën gjashtë tetor.

“Kushdo që do të tentojë të kontrabandojë vullnetin politik të qytetarëve nuk ka dyshim se nuk do të ballafaqohet me ligjin”, shtoi ai./Indeksonline/