23:27 / E Martë, 08 Maj 2018 / indeksADMonline

Red Bull nga sezoni i ardhshëm mund të ketë motor të markës së njohur

Koha po skadon dhe Red Bull duhet të vendosë brenda datës 31 maj nëse në Botërorin e vitit 2019 të Formula 1 do të vazhdojë të bashkëpunojë me Renault apo të kalojë me Honda, në lidhje me kompaninë që do ta furnizojë me motorin e garave në të ardhmen. Aktualisht, makina austriake po përdor motorin Renault, me të cilin ka rënë dakord që të diskutojë pas 31 majit, pasi fillimisht do të shohë se çfarë oferte do të ketë Honda, që aktualisht po furnizon me motorin e saj skuadrën Toro Rosso, makinën “satelit” të Red Bull.

Red Bull ka 12 vjet që bashkëpunon me Renault, me të cilin ka arritur shumë suksese, por kohët e fundit situata ka ndryshuar, ndaj e ardhmja është në dilemë. Mediat austriake konfirmojnë se drejtuesit dhe inxhinierët e Red Bull janë të ndarë 50-50 në lidhje me motorin e ri. Garat e radhës në Spanjë e Monako do të jetë një test për të parë fuqinë e dy motorëve dhe më pas do të shohin se cili do të jetë ai i së ardhmes, që do të ofrojë garanci për të dueluar për titull. Këtë sezon, Red Bull ka fituar garën e Azerbajxhanit, por ende nuk duket në gjendje të duelojë me Mercedes dhe Ferrari.