08:44 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / indeksADMonline

Reduktime në Spitalin e Pulmologjisë në Pejë, ky është arsyetimi nga personeli

Mbrëmë në Repartin e Pulmologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës stafi mjekësor dhe pacientët janë përballur me mungesë të energjisë elektrike.

Në adresë të IndeksOnline lexuesit kanë dërguar disa video ku shihet ky repart në terr.

Kësisoji, kjo situatë ishte rënduese edhe për stafin mejkësor kujdestar të ditës së martë.

Në video shihet një infermiere ofruar shërbimet spitalore një pacienteje të shtrirë në dritë të një qiri.

IndeksOnline ka kontaktuar me Spitalin e Përgjithshëm të Pejës për të pyetur për këtë çështje.

Në një përgjigje për IndeksOnline thanë se për shkak të një defekti për një periudhë ishte ndërprerë energjia elektrike në Repartin e Pulmologjisë.

“Mbrëmë si pasojë e një defekti ka pasur një ndërprerje të energjisë elektrike në Repartin e Pulmologjisë. Defekti është eliminuar nga Mjeshtrit e Spitalit dhe gjithçka i është kthyer normalitetit pas një periudhe kohore”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, nga ky spital thanë se të gjithë pacientët kanë marrë shërbimet e nevojshme dhe nuk kanë pasur asnjë problem më furnizimin e oksigjenit.

“Gjatë kësaj kohe shërbimet ndaj pacientëve nga ana e Personelit janë kryer me vështirësi por pa ndërprerje dhe secilit i është ofruar shërbimet e nevojshme. Sistemi i oksigjenit nuk është i varur nga energjia elektrike dhe në këtë aspekt nuk ka pasur problem të madhe.

Defektet e tilla në rrjetin elektrik që janë të mundshme kudo janë shumë të rralla”, thanë nga Spitali i Pejës./IndeksOnline/