16:18 / E Martë, 16 Tetor 2018 / indeksADMonline

Regjistrimi i popullsisë bëhet në tërë Kosovën në vitin 2021

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që procesi i regjistrimit të dytë të popullsisë të shtrihet në gjithë territorin e vendit, ndërsa ka ftuar donatorët ta mbështesin këtë projekt madhor për shtetin tonë.

Ai këto komente i bëri sot në konferencën me donatorë të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës “Regjistrimi  i popullsisë dhe banesave në Kosovë – 2021”.

Hoxhaj ka thënë se statistikat zyrtare dhe përdorimi i tyre në institucionet vendimmarrëse në Kosovë, mundësojnë zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe se sistemi statistikor është njëri ndër më të rëndësishmit në vend, në kuadër të të cilit Qeveria merr bazën për hartimin e politikave për vendin dhe njëkohësisht janë referencë për donatorët e huaj që të investojnë në Kosovë.

“Këtë projekt Qeveria e Kosovës e konsideron si një nga projektet më madhore të vendit, pasi që ka të bëjë me të dhëna dhe indikatorë shumë të rëndësishëm, në çdo fushë të jetës. Regjistrimi i popullsisë  do të bëhet në tërë territorin Republikës së Kosovës në vitin 2021, andaj ftoj të gjithë donatorët e pranishëm që ta mbështesin këtë projekt madhor”, ka thënë Hoxhaj. Ai ka falënderuar donatorët e huaj e në veçanti EUROSTAT-in për ndihmën ndaj Agjencisë së Statistikave të Kosovës.