23:52 / E Premte, 23 Shtator 2022 / Gj. Sh

Reja me ndryshime ndaj Israelit, ky është formacioni i mundshem i Shqipërisë

Marash Kumbulla, Berat Gjimshiti dhe Kastriot Dermaku, janë tre titullarët e mbrojtjes së Kombëtares Shqiptare, të cilët nuk do të mund të japin kontributin e tyre për sfidat ndaj Izraelit dhe Islandës në Ligën e Kombeve.

Pikërisht për shkak të mungesave të shumta, duket se trajneri Edi Reja ka reflektuar dhe ka vendosur të ndryshojë rreshtim për dy sfidat e radhës, të cilat janë mjaft të rëndësishme për objektivat e kuqezinjve.

Kështu tekniku veteran italian duket se ka vendosur të heqë dorë nga skema e tij e preferuar 3-5-2, pasi në sfidën ndaj Izraelit pritet të rreshtojë skuadrën me skemën 4-3-1-2, duke qenë se shumica e atyre që pritet të luajnë titullarë, luajnë me një skemë të ngjashme në klubet e tyre.

Duke nisur që nga mbrojtja, Ardian Ismajli po shkëlqen me rreshtimin me katër në prapavijë te Empoli, ndërsa edhe Balliu në të djathtë e Hysaj në të majtë, e njohin mjaft mirë këtë lloj skeme. Për të kompletuar katërshen e prapavijës, pritet të aktivizohet edhe Frederik Veseli, eksperiencës së të cilit Reja i beson më shumë se energjisë së Ardian Bajramit dhe Enea Mihajt.

Në mesfushë titullarë pritet të luajnë Gjasula, Asllani e Abrashi, ndërsa Nedim Bajrami do të luajë pas dyshes sulmuese Sokol Cikalleshi-Armando Broja (Uzuni nuk ia ka dalë të jetë në gjendjen optimale). Me Bajramin dhe Asllanin njëkohësisht në fushë, loja e kuqezinjve do të ketë më shumë fantazi, por duhet pasur shumë kujdes në fazën mbrojtëse.

Me ndryshimin e skemës, trajneri Reja pritet t’u përshtatet më shumë cilësive të lojtarëve, por në të njëjtën kohë t’u plotësojë dëshirën edhe zërave të shumtë kritikë, që prej kohësh kanë kërkuar aplikimin e një rreshtimi ndryshe nga “3-5-2”-shi klasik.