Reklamimi i mishit nuk lejohet më në Amsterdam, arsyeja është shumë e çuditshme!
Amsterdami është zyrtarisht kryeqyteti i parë në botë që ndalon reklamimin publik të mishit dhe produkteve që lidhen me lëndët djegëse fosile.
Në një nga stacionet më të ngarkuara të tramvajit të qytetit, që nga 1 maji, postera kanë reklamuar Rijksmuseum-in, muzeun kombëtar të Holandës, si dhe një koncert të muzikës klasike. Një javë më parë, u promovuan medaljone pule, SUV-ë dhe pushime të lira.
Ky veprim synon të përafrojë pamjen e rrugëve të Amsterdamit me objektivat klimatike, shkruan BBC . Ndërsa kryeqyteti holandez synon të bëhet neutral ndaj klimës deri në vitin 2050, me përgjysmimin e konsumit të mishit, reklamat për hamburgerë, makina me benzinë dhe linja ajrore janë ndaluar. Ato janë hequr nga tabelat e reklamave, stacionet e tramvajit dhe stacionet e metrosë.
“Kriza klimatike është shumë urgjente. Nëse doni të udhëheqni politika klimatike dhe në të njëjtën kohë t’u jepni me qira hapësirë publike reklamave që shkojnë kundër saj, çfarë po bëni në të vërtetë?” tha Anneke Veenhoff e partisë GroenLinks.
Mishi përbënte një pjesë relativisht të vogël të tregut të reklamave në Amsterdam, afërsisht 0.1 përqind. Produktet që lidhen me lëndët djegëse fosile përbënin rreth 4 përqind. Ky treg dominohet nga markat e veshjeve, posterat e filmave dhe reklamat në telefonat celularë.
Shoqata Holandeze e Prodhuesve të Mishit, e cila përfaqëson industrinë, është e pakënaqur me këtë veprim dhe beson se është një “mënyrë e padëshirueshme për të ndikuar në sjelljen e konsumatorit”. Ata shtojnë se mishi “ofron lëndë ushqyese thelbësore dhe duhet të mbetet i dukshëm dhe i arritshëm për konsumatorët”./Indeksonline/

