20:37 / E Mërkurë, 08 Prill 2020 / indeksADMonline

Reportazh special nga Malisheva, epiqendra e COVID-19 në Kosovë

Jeton SOPA/ Indeksonline

Malisheva ditëve të fundit është bërë epiqendra e të infektuarve me koronavirus në Kosovë. Për një kohë të shkurtë kjo komunë e vogël në qendër të Kosovës ka numrin më të madh të personave të prekur me virusin COVID-19. Tashmë  64 persona janë konfirmuar me koronavirus në këtë komunë, derisa 9 prej tyre deri më tani  janë shëruar plotësisht.

IndeksOnline sot ka bërë një udhëtim në Komunën e Malishevës dhe në fshatrat e saj për të parë më për së afërmi gjendjen në terren.

Policia e Kosovës në dy ditët e fundit ka marrë masa të jashtëzakonshme duke vendosur patrulla policore për t’i  bllokuar të gjitha  hyrje-daljet e Malishevës.

Një shirit i Policisë është vendosur në daljen e Autostradës “Ibrahim Rugova” afër fshatit Banjë duke bllokuar rrugën kryesore që të çon për në qytezën e Malishevës.

Policët janë të pajisur me doreza dhe maska dhe e ndalojnë çdo automjet për ta verifikuar dhe shumicën prej tyre i kthejnë prej nga kanë ardhur. Policët thonë se kanë urdhër të mos lejojnë për tu futur apo dalë  asnjë person përveç rasteve emergjente dhe punëtorëve të linjave të furnizimit me produkte sanitare dhe ushqimore.

Rrugët e fshatit Banjë janë të zbrazura, fshat ky që është me numrin më të madh të të infektuarve me gjithsejtë 19 persona, si analogji me virusin e emëruar po me të njëjtin numër COVID-19.

Në rrugën “Brigada” që dikur kishin qenë të vendosura njësitet e UÇK-së në luftë kundër armikut serb sot është vendosur një patrullë policie  duke u përballur me  një armik të padukshëm; Virusin COVID 19.

Të gjitha rrugët që çojnë tek  lagjja Begaj e fshatit Banjë  janë të  bllokuara nga të gjitha anët nga policia pasi që në këtë lagje janë konfirmuar 19 persona të infektuar me virus ndërsa shumë prej tyre u janë marrë mostrat e analizave ku së shpejti pritet të dalë rezultati.

Banorët në kushte anonimiteti thonë se shumica e të infektuarve janë nga e njëjta familje dhe personi që mund ta ketë sjellë këtë virus aty  është një familjar i tyre  që është tregtar i cili  merret me shitje pemësh.

Edhe në qytezën e Malishevës duket sikur koha ka ndaluar, lëvizjet e njerëzve janë shumë të rralla tanimë si duket malishevasit vetëm pasi që u është futur brenda ky virus vdekjeprurës  e kanë marrë shumë seriozisht pandeminë globale që u ka marrë jetën mijëra njerëzve nëpër tërë globin.   Parku në qendër të qytetit është i zbrazët, lodrat që dikur ishin të mbushura me fëmijë tashmë i tund vetëm era…

Në një intervistë për IndeksOnline, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj thotë se megjithëse kjo komunë ka numrin më të madh të të infektuarve gjendja është e qetë dhe se po marrin masa adekuate për t’u dalur në ndihmë personave të infektuar dhe atyre në nevojë. Ai thotë se edhe niveli qendror tashmë ka kthyer kokën dhe po merret më seriozisht me qytezën e Malishevës.

“Gjendja në Komunën e Malishevës është e qetë, jemi të vetëdijshëm që është njëra nga komunat më të goditura, i kemi rastet ma të shumta të prekura nga virusi, janë 64 persona të infektuar prej tyre janë të shëruar 9 persona. Kemi informata se 15 persona kanë dalë negativ prej atyre që qëndrojnë në shtëpi, mund të them se veç është duke rënë numri i të infektuarve në Malishevë”.

“Në ditët e ardhshme do të jemi edhe më aktiv në këtë drejtim, bashkëpunimi me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe me Klinikën Infektive është jashtëzakonisht i mirë. Nuk e shohë se kanë pasë mundësi të na ndihmojë qeveria deri para dy dite, para dy dite kemi pasur kontakt me ministrin Vitia dhe më ka premtuar se do ta ketë në trajtim të veçantë.  Po presim nga qeveria dhe kuvendi të ndajnë mjete shtesë për Malishevën besoj se ata do të kenë vëmendje të veçantë për Malishevën para dy dite kanë ndodhë furnizime pak më të shumta jam i sigurt se Malisheva qe dy ditë po trajtohet pak më ndryshe”.

“Malisheva si komunë e varfër ka ndarë 150 mijë euro nga projektet e veta që ti ndihmoj njerëzit megjithatë kjo komunë nuk është e fuqishme vet me ja dalë në asnjë aspekt prandaj ne kemi kërkuar trajtim të veçantë për shkak të gjendjes që e kemi brenda mundësive tona na e kemi gjendjen stabile i kemi nën kontroll të gjitha fshatrat të gjithë skamnorët edhe të gjitha këto familje që janë prekur i kemi nën përkujdesje tonën, fuqia jonë është e vogël si Malishevë prandaj kërkojmë një trajtim shtesë nga niveli qendror”./IndeksOnline/