Rezultati i LDK-së, flet për herë të parë Hykmete Bajrami
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar për herë të parë pas rezultatit të zgjedhjeve, duke vlerësuar se mesazhi i qytetarëve ishte i qartë si për partitë politike, ashtu edhe për institucionet.
Përmes një reagimi publik, Bajrami falënderoi të gjithë qytetarët që votuan LDK-në dhe strukturat e partisë që, sipas saj, punuan ditë e natë gjatë fushatës zgjedhore.
“Qytetarët folën. Folën fort. Të zëshëm ishin edhe ata që nuk votuan fare”, u shpreh ajo.
Sipas Bajramit, niveli i lartë i mosdaljes në votime përbën një protestë qytetare dhe një thirrje të qartë për reflektim dhe llogaridhënie nga klasa politike.
Ajo theksoi se shumë qytetarë ndëshkuan partinë që kishte fituar 51 për qind të votave në zgjedhjet e kaluara, duke e akuzuar se e keqpërdori dhe nuk e zbatoi vullnetin e qytetarëve. Megjithatë, Bajrami pranoi se edhe opozita ka marrë një mesazh të qartë nga elektorati.
“Edhe neve na thanë qartë se duhet më shumë punë, më shumë seriozitet dhe më shumë përkushtim që të na shohin si zgjidhje”, deklaroi ajo.
Bajrami kritikoi faktin që vendi u përball me tri procese zgjedhore radhazi për shkak të kalkulimeve politike dhe jo për shkak të dallimeve programore apo zhvillimore.
“Përfundimisht, është koha të mendojmë përtej karrigeve”, theksoi ajo.
Në fund, deputetja e LDK-së vlerësoi se rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të gjitha partitë politike, duke shtuar se LDK-ja është më shumë se një rezultat zgjedhor dhe se duhet të punojë për t’u rikthyer më e fortë në skenën politike.

