23:23 / E Hënë, 22 Janar 2018 / indeksADMonline

Riatdhesohen vullnetarisht 130 shqiptarë azilkërkues në Francë

Rreth 130 shtetas shqiptarë, të cilëve iu është mohuar kërkesa për azil në francë, janë rikthyer në Shqipëri pasditen e sotme, në mënyrë vullnetare.

Rikthimi i organizuar është bërë nga zyra franceze për Migracionin dhe Integrimin, ndërsa e pranishme në aeroportin e Rinasit në Tiranë, ishte edhe Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtuese e Lartë, Aida Hajnaj.

Në fjalën e saj Hajnaj theksoi edhe një herë bashkëpunimin mjaft të mirë që ka Policia Shqiptare me zyrat e migracionit në BE dhe apeloi edhe një herë ndërgjegjësimin e shtetasve shqiptarë azilkërkues dhe respektimin e rregullave të lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

“Zyra franceze për emigracionin dhe integrimin sot ka kthyer në aeroportin e Rinasit 130 shtetas shqiptarë të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil. Autoritetet shqiptare janë në bashkëpunim të vazhdueshëm, rigoroz dhe korrekt me autoritetet franceze dhe me autoritetet e vendeve të tjera të BE-së dhe Schengen-it, të cilat kanë probleme me kërkesat për azil nga shtetas shqiptarë”, tha ajo.

Hajnaj sqaroi se në vijim të masave do të vazhdojmë me identifikimin e të gjithë shtetasve, të cilët përdorin dokumenta false apo dokumenta të tjera, për të lëvizur në vendet e BE-së dhe Schengenit, në mënyrë jo të rregullt dhe jo në respekt të parimeve dhe rregullave të lëvizjes së lirë.