12:54 / E Hënë, 19 Tetor 2020 / indeksADMonline

Rikthimi i tmerrshëm i koronavirusit, mbi 40 milionë numri i të të infektuarve

Numri global i rasteve të konfirmuara me koronavirus kaloi të hënën 40 milionë.

Të dhënat e universitetit “Johns Hopkins” bazohen në raportimin zyrtar të vendeve veç e veç.

Sipas tyre, numri i përgjithshëm i viktimave është mbi 1.1 milionë, ndërsa i të shëruave mbi 27.5 milionë.

Ekspertët, megjithatë, besojnë se numri i vërtetë i rasteve dhe viktimave ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, marrë parasysh mungesën e testimeve dhe raportimin e dobët nga disa vende.

Koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, është shfaqur për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës, në fund të vitit të kaluar.

Që atëherë, ai është përhapur në gati 200 vende bote.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 8.1 milionë njerëz të infektuar dhe mbi 219.000 viktima.

Në Evropë, Spanja prin me numër të të infektuarve: mbi 936.000, ndërsa Mbretëria e Bashkuar me numër viktimash: mbi 43.000.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Republika Çeke ka aktualisht shkallën më të rëndë të infektimit në Evropë, me mbi 660 të infektuar në 100.000 banorë, gjatë 14 ditëve të fundit.