15:38 / E Hënë, 02 Gusht 2021 / C E

Ronaldo i vendosur të largohet, Mbappe është çelësi

Rikthimi tek Juventusi nuk ndryshon planet e Cristiano Ronaldos.

Ideja e tij mbetet e njëjtë: ai dëshiron të largohet dhe ta bëjë sa më shpejt të jetë e mundur.

Çdo ditë që kalon e ndërlikon realizimin e kësaj dëshire, por portugezi nuk i është nënshtruar idesë së qëndrimit te “Zonja e Vjetër”.

E ardhmja e tij varet nga Kylian Mbappé. Sulmuesi e di se nëse Reali mund të marrë francezin, PSG do të tentojë menjëherë që portugezi të plotësojë vendin e Mbappesë.

Në Spanjë janë të sigurt se Florentino Pérez do të përpiqet të sjellë në Madrid sulmuesin e PSG-së dhe përpjekjet do të bëhen deri në ditën e fundit të merkatos.

Nëse parizienët nuk pranojnë asnjë ofertë ndaj Mbappesë, mediet ne Spanjë raportojnë se Ronaldo do të trokasë përsëri në derën e Realit.

Një gjë të tillë u përpoq ta realizonte pranverën e kaluar, por Florentino u shpreh hapur: “Nuk ka kuptim për ne.”

Pavarësisht kësaj, CR7 shpreson që ardhja e Ancelottit mund ta ndihmojë atë. Kjo duket e vështirë të realizohet për portugezin, sepse plani i Madridit mbetet i njëjtë, Mbappe duhet të vishet me fanellën e bardhë. 

Nëse Cristiano dëshiron të largohet nga Juvja, ai duhet të shpresojë se ëndrra e madhe e Real Madridit do të realizohet këtë verë.