17:35 / E Mërkurë, 21 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Rossi: Mendova të tërhiqem pas tragjedisë, sot garoj edhe për Simoncellin

Piloti italian Valentino Rossi, ka rrëfyer sot se pas aksidentit dhe vdekjes tragjike të patriotit të tij Marco Simoncelli, pat menduar largimin nga garat. Por sot ai garon vetëm për ish-mikun e tij, që tashmë nuk jeton më.

“Kaloja shumë kohë me të edhe pas stërvitjes. Nuk ka qenë e lehtë për mua të kaloja atë moment të vështirë edhe për faktin se u përfshimë në atë aksident. Ka qenë e vështirë të rikthesha në pistë pas atij momenti, doja të largohesha nga garat dhe nuk e kisha problem, pasi e kisha famën dhe kisha fituar mjaft tituj. Por sot pranoj se garoj edhe për të”, u shpreh Rossi.

Pasi kaloi atë dramë, Valentino iu rikthyer garave edhe për të vijuar karrierën e tij, ku numëron 9 tituj kampionë bote. Sot ai ka ndërtuar edhe një Akademi, ku është i përfshirë tërësisht dhe kalon shumë kohë.

“Kur vendosa të ndërtoj Akademinë mora një mendim edhe nga Marco, ndaj një pjesë e kësaj merite është edhe e tij. E kujtoj gjithnjë kur jam aty”, tha Valentino Rossi, që përgatitet edhe për sezonin e ri 2018 të Moto GP.

“Marquez është favoriti kryesor dhe do të jetë e vështirë për të gjithë për ta mundur. Por, nëse Yamaha do të jetë e shpejtë do të jem edhe unë pretendent”, tha Rossi.