21:38 / E Premte, 17 Gusht 2018 / indeksADMonline

Rrahmani: Shoqëria kosovare përmes vetëorganizimit arriti ta ruaj mbijetesën sociale,  kulturore dhe politike

Sociologu Florent Rrahmani, po merr pjesë në konferencën “The International Social Work & Society Academy” (TISSA), e cila po mbahet në Universitetin e Lubjanës, në të cilën po diskutohet për temën “Puna Sociale dhe Solidariteti: Në Kërkimin e Paradigmave të reja”.

Ai, në këtë konferencë ka folur për “Rrugët e Ndërtimit të Jetës Paralele: nga Mosbindja në Refuzim”, rrjedhimisht për domosdoshmërinë dhe pashmangshmërinë e cila çon drejt Mosbindjes dhe Refuzimit në njërën anë, dhe ndërtimit të Paralelizmit në anën tjetër.

“Mosbindja, Kundërshtimi dhe Refuzimi, u bënë të pashmangshme në një situatë kur po rrezikohej jo vetëm të qenët, por edhe vetë qenia. E situatat e tilla, prodhuan shoqëri pa shtet e shtet kundër shoqërisë, dhe krahas kësaj imponuan edhe rrugëtimin e madh, në rrugën e pashmangshme që quhej Paralelizëm”, ka thënë Rrahmani.

Sipas tij, ky paralelizëm rrjedhën e kishte mbi fuqinë e vetëorganizimit dhe vetëfunksionimit.

Ai më tej ka theksuar se rasti i shoqërisë kosovare, paraqet një shembull të veçantë ku përmes vetëorganizimit dhe vetëfunksionimit u arrit të sigurohej dhe të ruhej mbijetesa sociale, kulturore dhe politike e një shoqërie, por edhe të krijohej baza legale e sociale e shtetit të nesërm të njohur ndërkombëtarisht.