12:46 / E Enjte, 11 Janar 2018 / indeksADMonline

Rregullimi i sheshit pa i siguruar mjetet e fut në borxhe komunën e Ferizajt

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se deri te nënshkrimi i kontratës janë bërë disa shkelje që lidheshin me planifikimin e gabuar financiar të projektit të realizuar përmes prokurimit nga qeverisja lokale në Ferizaj gjatë vitit 2016 dhe 2017. Si pasojë e këtij keq-planifikimi komuna mund të përballet me borxhet.

Me 19 tetor të vitit 2016, Komuna e Ferizajt kishte filluar procedurat e tenderimit për rregullimin e sheshit, ndërkaq me 2 nëntor kishte shpallur njoftimin për kontratë. Sipas njoftimit, projekti do të ishte trevjeçar dhe vlera e parashikuar e tij do të ishte 1 milion e 338 mijë euro.

Në bazë të buxhetit të Komunës së Ferizajt për vitin 2016, kur edhe ka filluar procedura e prokurimit për Projektin “Rregullimi i Qendrës së Qytetit, Faza II” ishin planifikuar vetëm 190 mijë euro në tre vjet, 2016-2018. Ndërkaq, në Kornizën Afatmesme Buxhetore të Komunës së Ferizajt për vitet 2016-2018, parashihej faza e III-të e rregullimit të qendrës dhe jo faza II.

Ndryshe nga buxheti i Komunës së Ferizajt, në buxhetin e Kosovës figurojnë 190 mijë euro të ndara për tre vjet për realizimin e këtij projekti.

Sipas këtyre projeksioneve buxhetore, Komuna e Ferizajt nuk ka pasur mjete financiare të planifikuara mjaftueshëm për të nisur procedura të prokurimit. Pra, procedura për kontratë në vlerën 1 milion e 338 mijë euro është nisur duke pasur vetëm 190 mijë euro të planifikuara për të njëjtën kontratë.

Deklarata e “disponueshmërisë” së fondeve

Ligji për Prokurim Publik obligon Zyrtarin Kryesor Financiar dhe Zyrtarin Kryesor Administrativ (Kryetarin e Komunës) që të përpilojë një deklaratë të nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve, para fillimit të procedurave të prokurimit. Krejt kjo për të siguruar që organizata buxhetore nuk hyn në procedurë të prokurimit pa pasur mjete të mjaftueshme në dispozicion.

Deklarata e disponueshmërisë së mjeteve

Siç kërkohet në ligj, kjo deklaratë është dorëzuar në KRPP nga Komuna e Ferizajt. Sipas deklaratës, të cilën e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, thuhet se janë planifikuar të ndahen për këtë projekt 1 milion e 148 mijë euro vetëm në vitin 2018. Por, kjo shumë nuk figuron as në buxhetin e vitit 2016, në të cilin futen edhe planifikimet afatmesme trevjeçare, bazuar në kornizën afatmesme. Madje, edhe në buxhetin e Komunës së Ferizajt për vitin 2017, i cili është miratuar pas inicimit të tenderit, nuk ishte parashikuar asnjë euro për vitin 2018 për këtë projekt. Deklarata për zotim të mjeteve ishte nënshkruar në datën e njëjtë kur është iniciuar procedura e prokurimit për këtë projekt.

Ligji për Prokurim Publik obligon që kryetari i komunës të rikonfirmojë disponueshmërinë e mjeteve financiare para njoftimit për dhënie të kontratës. Në këtë rast, kjo deklaratë ishte nënshkruar nga kryetari Svarça para njoftimit, duke respektuar kërkesën ligjore.

Mirëpo, në fakt, rikonfirmimi për disponueshmërinë e fondeve nuk përkon me mjetet e ndara në bazë të buxhetit të Komunës së Ferizajt për vitin 2017 e as në buxhetin e Kosovës. Sipas buxhetit të Kosovës për vitin 2017, janë vetëm 786,100 euro të parashikuara për këtë projekt, për vitet 2017-2019.  Pra, më pak se kontrata e nënshkruar dhe shumë më pak sesa zotimi i mjeteve që ishte bërë në fillim të projektit.

Për më tepër, ky veprim është në kundërshtim me nenin 9.3 të Ligjit për Prokurim Publik në Kosovë. Neni 9.3 i këtij ligji, kërkon që në rastet kur një prokurim krijon obligime financiare në vitet e ardhshme fiskale, Zyrtari Kryesor Financiar duhet të “(i) sigurojë që tabelat e bashkëngjitura Ligjit për Ndarjet Buxhetore ofrojnë bazë të arsyeshme për të pritur se në vitet a ardhshme fiskale do t’i ofrohen fonde të mjaftueshme për përmbushjen e obligimeve të tilla (…)”.

Nga tabelat e bashkëngjitura në ligjin për buxhet për vitin 2016 dhe 2017 vërehet se nuk kanë krijuar bazë të arsyeshme për të përmbushur obligimet financiare që rrjedhin nga kjo kontratë. Rrjedhimisht, Zyrtari Kryesor Financiar i Komunës së Ferizajt dhe kryetari i Komunës, Muharrem Svarça, kanë nënshkruar deklaratën për disponueshmëri të fondeve të “padisponueshme”.

Borxhet që mund të rrjedhin nga kjo kontratë

Sipas planifikimeve buxhetore të Komunës së Ferizajt, e përfshirë edhe në buxhetin e Kosovës, Komuna e Ferizajt mund të hyjë në borxh prej më së paku 113 mijë eurove për të përmbushur obligimet financiare nga kjo kontratë. Më konkretisht, sipas tabelave të buxhetit të Kosovës për vitin 2017, për këtë kontratë do të jenë në dispozicion 786,100 euro. Ndërkaq obligimet financiare nga kontrata kapin shumën prej 899,426.64 euro ose 113,326.64 euro më shumë sesa mjetet në dispozicion.

Për më tepër, për të mbuluar këtë obligim financiar, Komuna e Ferizajt do të duhet të sakrifikojë projekte të tjera të planifikuara për vitet e ardhshme.

Madje, bazuar në buxhetin e vitit 2018 del që komuna do të mbetet borxh gati gjysmën e kostos së këtij projekti. Për vitin 2018 për këtë projekt janë planifikuar vetëm 131 mijë e 300 euro. Nuk dihet se sa mjete janë paguar deri më tani. Ndërsa, pjesa më e madhe e buxhetit për këtë projekt është lënë për vitin 2019. Bazuar në planifikimin afatmesëm, për vitin 2019 janë planifikuar 447 mijë euro, apo më shumë se gjysma e kostos së projektit të nisur në vitin 2016.

Temat: