10:53 / E Diele, 20 Shkurt 2022 / LB

Rregullorja e re e Kuvendit pritet të miratohet të martën, parashihen disa sanksione për deputetët

Pritjes maratonike për një rregullore të re të Kuvendit të Kosovës po i vjen fundi. Pas 12 vjetësh, deputetët e legjislativit do të kenë rregullore të re të punës. Të martën e javës së ardhshme, në seancën e radhës plenare do të shqyrtohet në parim rregullorja e re e Kuvendit. Përmes të njëjtës pritet të ketë edhe norma sanksionuese për të zgjedhurit e popullit që mungojnë pa arsye në seanca dhe komisione.

Kryetari i komisionit për legjislacion, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi thotë se përmes rregullores së re të Kuvendit, do të krijohet një mekanizëm i ri, ‘konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare’, i cili bashkë me kryetarin e Kuvendit do të përcaktojnë agjendën e legjislativit.

Kësisoj, sipas tij, do të zbehet edhe roli i kryesisë së Kuvendit.

Ai shton se deputetët që nuk marrin pjesë në seanca do të gjobiten financiarisht duke u larguar meditjet nga paga bazë.

“Krijimi i një mekanizmi të ri të një trupe të re siç është konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare të cilët bashkë me kryetarin e Kuvendit do të kenë rolin kryesor në funksionimin e brendshëm të Kuvendit, përcaktimin e agjendës, përcaktimin e organizmit të trupave të kuvendit dhe kështu me radhë. Në këtë kuptim bie pak rëndësia e Kryesisë së Kuvendit, ndërkohë fuqizohen grupet parlamentare. Por gjithmonë duke u kujdesur që mos të ketë bllokim të punës së Kuvendit. Janë përcaktuar edhe përgjegjësitë e deputetit për të marrë pjesë në seanca dhe komisione. Në rast se nuk marrin pjesë pa njoftuar paraprakisht ata do të ndëshkohen financiarisht duke u zbritur mëditja nga paga bazë e tyre. Kjo bëhet jo për t’i ndëshkuar deputetët, por për të garantuar se edhe Kuvendi, seanca dhe mbledhjet e komisioneve nuk do të dështojnë për shkak të mungesës së deputetëve në kuptimin e kuorumit”, thotë ai.

Deputeti i mazhoracës thotë se rregullorja e re e Kuvendit ka gjetur pajtueshmëri në gjitha grupet parlamentare në Kuvend.

Sipas tij, rregullorja e re e Kuvendit fuqizon më shumë rolin e opozitës.

“Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës favorizon opozitën që është e vërteta, pasi ia rritë mundësitë e mbikëqyrjes parlamentare dhe rolin opozitar. Por rregulloren e Kuvendit duhet ta trajtojmë si një akt të përhershëm të Kuvendit pavarësisht pozicioneve pozitë-opozitë. Por në aktualitet e rritë rolin e opozitës, iu jep mekanizma shtesë qoftë në mbikëqyrjen parlamentare të qeverisë, por edhe aktivitete brenda Kuvendit”, shton ai.

Përkrahje miratimit të rregullores së re të Kuvendit i kanë dhënë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

Deputeti Hajdar Beqa ka bërë të ditur se mbështesin miratimin e rregullores së Kuvendit.