09:34 / E Diele, 05 Gusht 2018 / indeksADMonline

Rreth 50 pjesëtarë serb kërkojnë të largohen nga FSK

Numri i pjesëtarve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që dëshirojnë t’a braktisin këtë institucion, duket se është rritur. Kësisoj, numri i tyre sipas të parit të këtij dikasteri qeveritar, Rrustem Berisha ka arritur në 51 pjesëtarë.

Megjithatë, në një prononcim për “Indeksonline”, zëdhënësi për informim i MFSK-së, Ibrahim Shala ka konfirmuar këtë deklaratë të shefit të tyre, mirëpo, i njëjti nuk ka dhënë të dhëna të sakta sa i përket kësaj çështje.

“Mund të konfirmojë deklaratën e Ministrit se janë 51 pjesëtarë serbë. Por, ne si Zyra për informim  tregojmë se pjesëtarët serbë që kanë bërë kërkesë për largim nga FSK-ja  janë diku rreth 50”, ka thënë Shala.

Kujtojmë, se pjesëtarët serbë këto kërkesa po i bëjnë pasi që nuk po munden t’i përballojnë presionit nga jashtë.

Më tutje, Shala ka treguar se e ende nuk kanë marrë ndonjë vendim rreth kërkesave të pjesëtarëve serbë për largim, pasi ato janë duke u shqyrtuar sipas procedurave të parapara, të cilat kërkojnë 6 muaj kohë./Indeksonline/