11:02 / E Premte, 12 Qershor 2020 / indeksADMonline

Rrezarta Pllana, kryesuese e Bordit të KEK-ut dhe ligjëruese në korporatën që merr tenderë nga KEK-u

Kryesuesja e Bordit të përkohshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Rrezarta Pllana do të ballafaqohet me Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) dhe me disa kallëzime penale të cilat tashme i janë dorëzuar në gjykatë.

IndeksOnline ka siguruar dëshmitë që i janë bërë gati për ta denoncuar në AKK të emëruarën e Kurtit në krye të bordit të KEK-ut me dyshimin se është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Duke u bazuar në nenet 15 dhe 17 të Ligjit për NP, Rrezarta Pllana, sipas disa zyrtarëve të KEK-ut, dyshohet me bazë se është në konflikt interesi.

Kjo për shkak së Pllana është e punësuar në korporatën “Cacttus” e cila është kontraktore e KEK-ut.

Neni 15, dhe 17 i ligjit të Ndërmarrjeve Publike e specifikojnë zgjedhjen e drejtorëve të NP dhe qartëson atë se çka është konflikt interesi.

IndeksOnline ka siguruar edhe kontratën në mes KEK-ut dhe kompanisë ku është e punësuar tash e disa vite Pllana.
Kontrata mes KEK dhe Cacttus, është nënshkruar me datën 28.02.2019 dhe është valide edhe tani.

IndeksOnline ka kontaktuar me Kryesuesen e Bordit të përkohshëm të Korporatës Energjetikë të Kosovës, Rrezarta Pllana për ta pyetur nëse ka kontratë pune ende me korporatën Cactuss dhe se a i konsideron ajo pozitat e punës si konflikt interesi.

“Jam ligjëruese në “Cacttus Education”. Kontratë kam me “Cacttus Business Solutions”. Nuk shoh këtu konflikt interesi”, ka thënë shkurt Pllana.

Ndërsa Bruno Serreqi, Drejtor i Operacioneve në “Cacttus SH.A”, ka deklaruar se Rrezarta Pllana ka kontratë me kompaninë e cila është e regjistruar ndaras porse është në kuadër të rrjetit të tyre.

IndeksOnline përkitazi me këto dyshime ka pyetur edhe Agjensinë Kundër Korrupsion e cila ka dhënë përgjigje se duke qenë anëtare e Bordit Drejtues të KEK-ut, kush do qofte ai/ajo, ne rastin konkret zonja Rrezarta Pllana, është zyrtar/e i/e lartë publik/e dhe me qenë zyrtare e lartë publike dhe me qenë mësimdhënëse diku (qoftë universitet publik apo kolegj privat) nuk është konflikt interesi. D.m.th., ligji nuk e ndalon.

Sipas AKK-së, se ekziston një lidhje që kjo si Kryetare e Bordit të KEK-ut është mësimdhënëse në kompaninë “Cactuss Education”, ndërkohë që kjo kompani ka tender nga KEK-u, as kjo nuk do të thotë apriori se është konflikt interesi, pasi ajo aty nuk është as pronare e as drejtuese.

“Situata konflikt interesi ndodhin atëherë kur ato lidhen me rolin vendimmarrës që ka zyrtari i lartë publik (në rastin konkret Kryesuesja e Bordit të KEK-ut), në ndonjë çështje që lidhet me interes privat. Në rastet e tilla ato situata quhen konflikt interesi “rast pas rasti” dhe zyrtarët e lartë e din (këshillohen) se në to duhet të bëhet deklarimi i konflikti të interesit (me shkrim) dhe tërheqja ose zëvendësimi në atë vendimmarrje”, kanë thënë në Agjensinë Kundër Korrupsionit.

Si e përmbledhur, situata për të cilën është pyetur, sipas AKK-së, për dikë mund të duket si konflikt interesi, por nuk është konflikt faktik i interesit. Pra, konflikt në dukje nuk është domosdoshmërisht konflikt faktik i interesit.

Derisa emërimi i Pllanës, sipas disa zyrtarëve në KEK po dyshohet se është në kundërshtim me ligjin, kur u emërua nga Albin Kurti sa ishte kryeministër në shkarkim, u promovua si kuadër i përgatitur mirë dhe me përvojë të gjatë pikërisht në këtë kompani.

Përveç Pllanës edhe anëtarët e tjerë të Bordit të KEK-ut dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të emëruar nga qeveria Kurti, do të ballafaqohet edhe me disa kallëzime penale që tashmë i janë bërë nga anëtarët e Bordit të kaluar dhe sekretari i Korporatës, Lulzim Zeqiri.

Emërimet e anëtarëve të Bordeve nga Qeveria Kurti janë komentuar shumë për shkak se disa nga ta dolën të jenë anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje, përkundër se kishte premtuar se nuk do të politizonte bordet dhe me vite të tëra kishte akuzuar partitë e tjera në pushtet se po kapin NP-të duke emëruar borde politike.

Në Bordin e KEK-ut po ashtu është komentuar shumë edhe emërimi anëtarit tjetër të Bordit, Arbnor Pula i cili është njeri i afërt i Mimoza Kusarit. Arbnor Pula në vitin 2014 ishte kandidat për deputet i partisë së Mimoza Kusarit që tashmë është deputete e Lëvizjes Vetëvendosje