17:21 / E Shtunë, 14 Korrik 2018 / indeksADMonline

Rrezikohen nga gropa e madhe me ujë në Prishtinë, banorët nesër protestojnë!

Një projekt i cili do të duhej të përfundonte për 169 ditë punë, as tani pas më shumë se një viti nuk është afër të përfundojë.

Prandaj, kjo vonesë e projektit “Zgjerimi i rrugës (unaza) Liqeni i Badovcit – Mramor – Grashticë”, i ka shtyer banorët e Mramorit që të organizojnë një protestë për të dielen.

Kjo rrugë, sipas njërit prej banorëve të lagjes i cili ka njoftuar për protestën në Facebook, është bërë pothuajse e pakalueshme nga shirat e rrëmbyeshëm.

Ai kujton rastin e Kolovicës ku humbën jetën dy fëmijë dhe thekson se si shkak i neglizhencës mund të ndodhë e njëjta gjë edhe në Mramor.

“Si pasojë e neglizhencës së institucioneve tona vite më parë humbën jetën dy fëmijë në Kolovicë të Prishtinës, thuajse në një ambient të njëjtë me këtë të fshatit Mramur vetëm se tek ne është edhe më keq pasi është edhe Tensioni i lartë i rrymës që na rrezikon nga puna e mbrapshtë e kontraktorit” ka shkruar ai.

Këta banorë disa herë u kanë drejtuar kërkesa për këtë çështje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës, por asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë veprim.

Protesta do të mbahet më 15 Korrik në udhëkryqin e rrugës, nga ora 12 deri në ora 13:00. Për këtë protestë ata e kanë njoftuar edhe Policinë e Kosovës.