17:08 / E Diele, 04 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Rrezikohet shëndeti i qytetarëve nga therja e kafshëve te tregu i veturave

Me dhjetëra kafshë, për çdo fundjavë shiten në tregun e veturave në Prishtinë. Përveç shitjes, shumica e tyre theren në ambiente që nuk plotësojnë aspak kushtet higjienike dhe madje theren nga persona të mitur.

Mjekët veterinarë fajësojnë AVUK-in, ndërsa këta të fundit nuk prononcohen me arsyetimin se nuk janë kompetentë për të folur lidhur me problemin. Derisa Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thotë se kërkesat e saj për këto shkelje vazhdimisht kanë hasur në vesh të shurdhër nga AVUK.

Mjeku veterinar Ilirian Jusufi, në lidhje me këtë e ka fajësuar Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit, duke shtuar se therjet nuk duhet të bëhen në ambiente të hapura.

“Këto duhen të bëhen në thertore të veçanta të cilat janë të standardizuara, nuk guxon assesi të lejohet. Është punë e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës. Ata janë përgjegjës, po ashtu edhe inspektorati për ndalimin sa më të shpejtë të therjeve në këtë formë. Nuk lejohet, sepse e para për vendosjen e një vendi të caktuar është përgjegjës AUV, nuk lejohet që therja të bëhet në ambiente të hapura, ku derdhet gjaku dhe kontaminohet ambienti. Për shkak se edhe mishi nuk e ka vlerën ushqyese siç duhet ta ketë, nuk guxon të theret në ambiente të hapura. Ai mish theret jashtë çdo standardi, ku nuk ka kushte të higjienës”,  ka thënë Jusufi.

Mishi i këtyre kafshëve të therura është i dëmshëm për konsumim, pasi ai kontaminohet me baktere. Jusufi paralajmëron qytetarët që të jenë të kujdesshëm se çfarë konsumojnë, pasi rrezikojnë shëndetin e  tyre.

“Dëmet janë të shumëfishta, ai mish kontaminohet me baktere të cilat janë përreth. Ky mish nuk guxon të hidhet në treg dhe të përdoret. Ai duhet të ndalohet rreptësishtë dhe t’i vendoset një vulë trekëndëshe, ose duhet të jepet me kusht, ose rreptësishtë të ndalohet përdorimi i atij mishi për përdorim human. Ai nuk ka të bëjë me cilësi të mishin, pasi kontaminohet në momentin që bie në kontakt me tokën. Po ashtu, edhe mjetet me të cilat i therin kafshën nuk plotësojnë standardet. Ne nuk jemi aspak të mbrojtur”, tha ai.

Në lidhje me këtë kanë reaguar edhe Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve. Ku themeluesja e këtij fondacioni, Elza Ramadani ka theksuar se prerja e këtyre kafshëve po bëhet nga djemë të rinj, të cilët nuk kanë leje për të kryer një veprim të tillë.

“Në këto tregje, shihen edhe pamjet e tmerrshme të djemve të rinj që therin pulat për klientët e tyre, mbrapa automjetit të tyre. Kjo është e ndaluar me ligj. Të gjitha kafshët blegtorale dhe shpezët për konsum  duhet të theren vetëm në thertoret përkatëse, të cilat janë të licencuara dhe autorizuara nga inspektorët dhe AVUK.  Por më shokuese se prerja e atyre shpezëve dhe kafshëve, është fakti që djemtë e mitur që therin kafshët, së pari janë aty jashtëligjshëm pasi udhëzimi administrativ ndalon punën e të miturve në thertore. Së dyti, ata janë pa rroba adekuate të punës dhe të mbuluar me gjak të kafshëve të therura. Thonjtë e tyre, duart me të cilat pinë cigare, ishin të pa pastruara dhe ata punonin në kushte  të tmerrshme higjienike. Stili i punës së tillë mund të shkaktojë sëmundje të rënda për ata fëmijë dhe të gjithë ne”, paralajmëron Ramadani.

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka tash e një vit që kërkon llogari për këto shkelje, duke dërguar vazhdimisht kërkesa tek AVUK, por kjo e fundit nuk është përgjigjur ndaj kërkesave të tyre.

Sa i pwrket kwsaj cwshtjeje, zyrtarë e AVUK kanë sugjeruar të kontaktohet Komuna e Prishtinës, me arsyetimin se nuk janë kompetentë për këtë çështje. Por, as Zyra për media e Komunës së Prishtinës dhe as Inspektorati, nuk u janë përgjigjur telefonatave për të diskutuar lidhur me këtë çështje.