00:13 / E Martë, 21 Janar 2020

Rrihte barbarisht vajzën se s’kishte larë enët, shoqërohet në polici nëna shqiptare (Video)

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës dhunën “kafshërore” ndaj një vajze vetëm 13-vjeçare. Autori nuk ishte i panjohur për të miturën, por vetë nëna e saj. Me zë dhe figurë, emisioni investigativ faktoi se nëna e dhunon sistematikisht vajzën për arsye të ndryshme. Njëherë përse kishte dalë me shoqet jashtë pallatit. Herë tjetër përse luante në telefon. Dhe, rasti më flagrant ishte përse vajza nuk kishte larë enët dhe po bënte mësimet…

Policia e Sarandës ka shoqëruar në polici nënën e të miturës shtetasen E.M. 41 vjeçe, e cila dhunoi të bijën.

Në një reagim për mediat, policia bën me dije se bëhet fjalë për një rast dhune të rëndë dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Në lidhje me rastin e publikuar mbrëmjen e sotme në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku bëhej fjalë për dhunë e ushtruar nga mamaja ndaj vajzës së saj të mitur, menjëherë Policia ka bërë shoqërimin e shtetases E.M., 41 vjeçe, banuese në Sarandë, për veprime të mëtejshme. Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Sarandës, vijojnë veprimet për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave në lidhje me rastin konkret”, shkruan Policia.

Ka qenë njerku i vajzës që ka denoncuar rastin në Fiks Fare, sipas të cilit nëna e dhunon sistematikisht vajzën për arsye të ndryshme.