17:06 / E Enjte, 07 Janar 2021 / B O

Rritet në 4 numri i të vdekurve gjatë bastisjes së Kongresit Amerikan

Rritet në 4 numri i personave që kanë humbur jetën në ngjarjet gjatë bastisjes së Kongresit Amerikan nga disa mbështetës të presidentit amerikan, Donald Trump.

Shefi i policisë së Washingtonit, Robert Contee, në një deklaratë me shkrim lidhur me ngjarjet në ndërtesën e Kongresit, njoftoi se edhe 3 protestues të tjerë kanë humbur jetën pas një gruaje e cila humbi jetën më parë pasi u qëllua nga policia brenda Kongresit.

Contee duke mos zbuluar identitetin e personave që humbën jetën informoi se 1 prej tyre është mashkull, ndërsa dy të tjerë femra.

Gjithashtu Contee njoftoi se në ngjarje u plagosën lehtë 14 policë dhe se të paktën 52 persona u ndaluan.

Pas tubimit para Shtëpisë së Bardhë, mijëra protestues marshuan drejt Kongresit Amerikan të cilët tentuan të hyjnë në ndërtesë duke tejkaluar barrikadat.

Disa nga protestuesit hynë në ndërtesën e Kongresit pak kohë pas përplasjeve të përjetuara me policinë.

Si rrjedhojë në Kongres u ndërpre seanca e miratimit të votimit të Këshillit Zgjedhor për zgjedhjet presidenciale dhe u evakuuan në një vend të sigurt brenda ndërtesës anëtarët e Kongresit dhe zv.presidenti Mike Pence i cili kryesoi seancën.

Presidenti amerikan, Trump, nga llogaria e tij në Twitter u bëri thirrje për “vetëpërmbajtje” mbështetësve të tij që protestuan përpara ndërtesës së Kongresit.

Pas ngjarjeve të ndodhura Trump dha udhëzimin për dërgimin e Gardës Kombëtare në Kongres.