12:21 / E Martë, 28 Shkurt 2023 / S Z

Rritet numri i rasteve me Covid-19, por jo dhe interesimi i qytetarëve për vaksinim

Megjithëse ka rritje të rasteve e po ashtu ka dhe të vdekur si pasojë e infektimit me Covid-19, interesimi i qytetarëve që të marrin vaksinën mbetet i ulët.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike pas rritjes së rasteve dhe shënimit të vdekjes së dy personave brenda 24 orëve një ditë më parë, ka apeluar tek qytetarët për vaksinim, e po ashtu për bartje të maskave.

E qytetarët shprehen se nuk janë të interesuar ta marrin dozën e tretë të vaksinës, pasi dy të parat i morën nga frika dhe se nuk ishin të informuar sa duhet rreth Covid -19.

Lumjeta Berisha thotë se është bërë pishman që i mori dy dozat e para, pasi që nuk dihet për efektet e mëvonshme të tyre. Ndërkaq shprehet se nuk do ta marrë më as dozën e tretë dhe asnjë dozë tjetër.

“Ishte një situatë e frikshme kur ne u mbyllem në pandemi dhe se e shihnim si rrezik për jetën Covid -19. I mora unë së bashku me bashkëshortin tim vaksinat. Por më nuk do të marrim dozën e tretë, sepse nuk jemi shumë të bindur për efektin që do ta kenë në të ardhmen këto vaksina, të cilat në treg dolën shumë shpejtë”, thotë ajo.

E nga zyra për Informim në Ministrinë e Shëndetësinë kanë thënë për “IndeksOnline” se interesimin për vaksinim nuk është i lartë.

Ka një interesim rreth vaksinimit, jo i lartë. Më shumë është për dozat përforcuese. Por do të donim të ketë më shumë të interesuar, sidomos në mesin e grupeve me rrezik dhe të ketë më shumë interesim për dozat përforcuese”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të MSH-së.

Megjithëse ka rritje të numrit me Covid 19, MSH thotë se situata është e menaxhueshme dhe se IKSHP po e monitoron situatën.

Ditëve të fundit ka pasur më shumë raste me Covid- 19, por situata është e menaxhueshme dhe pa ngarkesa të veçanta. IKSHP po e monitoron situatën. Institucionet janë në gjendje të ofrojnë shërbime dhe çdo masë adekuate është duke u ndërmarrë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ndryshe Ministria e Shëndetësisë në dhjetor të  vitit të kaluar,  kishte filluar Karvanin e Vaksinimit i cili kishte zgjatur një muaj, ku në të gjitha qytetet e Kosovës, qytetarëve i ishte ofruar mundësia për vaksinim.  Karvani i Vaksinimit ka pasur për qellim që të ndihmojë qytetarët që ta kuptojnë rëndësinë e vaksinimit dhe atyre që nuk janë vaksinuar t’u ofroje edhe një mundësi më shumë në një formë pak më ndryshe dhe para se gjithash, të bëjë edhe një promovim te masave të përgjithshme të shëndetit publik. Megjithatë interesimi për vaksinim nuk ishte ai që ishte i pritur, pasi që sipas MSH-së ka qenë një rritje e lehtë e numrit të qytetarëve,  të cilët i janë përgjigjur thirrjes për vaksinim edhe gjatë Karvanit të Vaksinimit./IndeksOnline/