00:15 / E Enjte, 16 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Rritet numri i viktimave në vërshimet në Greqi

Të paktën pesë persona, dy gra dhe tre burra e kanë humbur jetën në vërshimet në rajonin e qytetit Mandura në afërsi të Athinës, ndërsa shumica ende janë të bllokuar në shtëpitë e tyre në Nea Peramos, Megara dhe Maguna.

Për shkak të vërshimeve, janë mbyllur edhe shumë shkolla.

Situatën vazhdimisht e ndjek edhe kryeministri Aleksis Cipras, i cili në Tuiter shprehu ngushëllime për viktimat dhe autoriteteve përgjegjëse iu urdhëroi të ndërmarrin aksion të shpejtë për lehtësimin e pasojave nga dëmi i shkaktuar nga kjo katastrofë.

Rrugët në Nea Peramos, i cili gjendet në 27 kilometra në perëndim të Athinës, janë shndërruar në lumenj prej balte dhe në të njëjtën kohë prefekti Grigoris Stamulis për televizionin “Antena” deklaroi se “praktikisht i gjithë qyteti është vërshuar”.

Ai shtoi se në vijim janë operacionet e shpëtimit për nxjerrjen njerëzve të cilët janë bllokuar në automobilat dhe shtëpitë e tyre, duke shtuar se askush nuk është në rrezik për jetë.

Në qytetin e afërt Mandra një grua është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj, ndërsa në një rrugë tjetër një burrë i moshuar gjithashtu është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij të vërshuar, kumtoi brigada e zjarrfikësve.

Ndërkohë janë shpëtuar 12 njerëz nga autobusi i cili është bllokuar në një urë.

Televizionet greke transmetojnë xhirime ku njerëzit për t’iu shmangur përmbytjeve janë ngjitur në ballkonet apo çatitë e shtëpive të tyre, ndërsa autoritetet kanë marrë 160 thirrje për ndihmë.

Greqia dje shpalli gjendje të jashtëzakonshme në ishullin Simi i cili u përfshi nga stuhia për shkak të së cilës ishte ndërprerë energji elektrike dhe uji, shumë shtëpi janë vërshuar dhe një numër i madh i automjeteve kanë përfunduar në det.