23:44 / E Premte, 14 Janar 2022 / OSH

Rrustemi: Seanca e jashtëzakonshme, veprim i përgjegjshëm i Kurtit, deputetët janë garantues të sovranitetit

Deputeti i Vetëvendosjes Adnan Rrustemi thotë se seanca e jashtëzakonshme e thirrur për nesër në Kuvendin e Kosovës është veprim kushtetues i kryeministrit. Ai thotë se Albin Kurti do t’i njoftojë deputetët për veprimet e qeverisë derisa thekson se duhet një vendim unik i deputetëve pasi bëhet fjalë për ruajtje të integritetit të vendit.

“Seancën e jashtëzakonshme e ka ftuar kryeministri i Republikës së Kosovës brenda përgjegjësive të tij kushtetuese. Konsideroj se është ftuar për të njoftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës me qëndrimin e kryeministrit Kurti ndaj një situate që cenon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe rendin kushtetues”, tha Rrustemi.

“Unë konsideroj se kjo seancë thjeshtë është një thirrje për paraqitur një qëndrim të drejtë në mbrojte të kushtetueshmërisë dhe sovranitetit por edhe për të manifestuar një qëndrim unik të spektrit politik të Kosovës kur bëhet fjalë për cenimin e rendit kushtetues”, shtoi ai.

“Unë konsideroj që është gjë e mirë, është madje shprehje e një kryeministri të përgjegjshëm i cili është zgjedhur nga populli e para deputetëve të cilëve duhet të raportojë”, tha Rrustemi.

“S’ka indikacione tjera. Mendoj se është veprim i duhur dhe konsideroj se në secilindo rast kur bëhet fjalë për një veprim që prekë integritetin e shtetit por edhe interesat shtetërore qeveria e Kosovës duhet të koordinohet dhe të komunikojë me Kuvendin e Kosovës dhe natyrisht që edhe deputetët duhet të japin kontributin e tyre sepse në fund të fundit edhe deputetët janë garantues të sovranitetit shtetëror”, theksoi ai.

‘Një seancë e tillë dhe një qëndrim unik në Kuvend nga të gjitha subjektet politike e forcon pozicionin e Kosovës dhe e dëshmon seriozitetin e Kosovës kur bëhet fjalë për çdo përpjekje për cenimin e sovranitetin e Kosovës”, tha Rrushtemi.

“Mendoj se është veprim kushtetues thirrja e seancës së jashtëzakonshme, le të dëgjojnë kryeministrin dhe si spektër politik mendoj se duhet të jemi unik në një veprim të tillë për integritetin e Kosovës”, tha ai.