23:22 / E Hënë, 30 Prill 2018 / indeksADMonline

Rufki Suma tregon dyshimet për policët e humbur

Kërkimet për dy policët e zhdukur që nga  mbrëmja e së shtunës do të rifillojnë përsëri mëngjesin e së nesërmes nga të gjitha njësitet relevante, pra, FSK-ja, Policia si dhe shumë qytetarë të tjerë.

Lidhur me këtë rast, Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma  në një prononcim për “Indeksonline” ka treguar dyshimet për fatin e dy zyrtarëve sipas informacioneve që ka pranuar.

Suma ka thënë se kërkimi i trupave do të bëhet edhe në ditët në vijim gjithnjë në  koordinim me Qendrën operative.

“Për me shku është  Qendra operative që është ngritur atje te vendi i ngjarjes ata i kordinojnë të gjitha aktivitetet pra, FSK-ja, Policia megjithatë ne jemi në disponim të gjithë dhe sipas informacioneve që i kam dyshohet se ata kanë ardhur gati në kufi me Maqedoninë edhe njerëzit filluan apo operacionin prej kufirit deri te vendi ku ka rënë automjeti gjithashtu e kanë në plan që edhe njëherë të kontrollohet kjo hapësirë që kanë me bërë përsëri”,  ka thënë Suma.

Më tej, ai ka shtuar duke thënë se nuk mund të japin vlerësim nëse të humburit mund të jenë jashtë lumit. Mirëpo, sipas tij, dyshimet janë më shumë që policët të jenë në lum.

Kujtojmë, se së fundi në kërkim të dy policëve janë angazhuar edhe klubi i alpinistëve “Dardania” nga Prishtina të cilët kanë vëzhguar në tërësi të vendit edhe me dron.

Ndryshe,  Malësor Dashi dhe Armend Trena, të dy policë të stacionit të Kaçanikut dyshohet se me veturën e tyre zyrtare derisa po udhëtonin nga Hani i Elezit për në Kaçanik kanë rënë në lumin Lepenc./Indeksonline/