Sali Berisha, mos e merr ne varr të vërtetën e zhdukjes së Remzi Hoxhës
Nëse të kam mbetur pak gjak malësori tregoje të vërtetën sotnë 25 vjetorin e zhdukjes së njërit ndër patriotët më të mëdhenjë të kohës. Më 21 tetor 1995 në qendër të Tiranës nga pjesëtarët e SHIK-ut të atëhershëm u rrëmbye bashkëveprimtari kombëtar Remzi Hoxha.
Bahri Bivolaku, 21 tetor 2020
Me 21 tetor të vitit 1995 në qendër të Tiranës nga pjestarët e SHIK – ut , të atëhershëm u rrëmbye veprimtari kombëtar Remzi Hoxha.
I nderuar ish kryeministër Berisha, me datën 21 tetor të vitit 1995 në qendër të Tiranës nga pjesëtarët e SHIK-ut të atëhershëm u rrëmbye veprimtari kombëtar nga Kosova, Remzi Hoxha. U bënë 25 vite dhe ne miqtë e bashkëveprimtarët e tij ende nuk e dimë se ku janë së pakut eshtrat e tij. Keni borxh të ndikoni që të zbardhet rasti. Remziu ishte njëri nga patriotët më të përkushtuar për të punuar në çlirimin e Kosovës. Kjo dhe ishte arsyeja e qëndrimit në Tiranë të Remziut.
Kush ishte Remzi Hoxha?
Familja e veprimtarit të viteve të 90-ta Remzi Hoxhës, tash e 25 vite ishte në pritje për të kuptuar të vërteten për zhdukjen e babait,bashkëshortit e familjarit të tyre të zhdukur në Tiranë, gjegjësishët të rrëmbyer nga ish agjentët SHIK-ut të asaj kohe.Familjarët, por edhe bashkëveprimtarët e Remziut e kerkojnë zbardhjen e rastit të këtij rrëmbimi. Ne bashlëveprimtarët e Remziut, kërkojmë që Gjykata e lartë e këtij shteti t’i dënojë akterët e këtij krimi, gjersa politika të krijojë kushte që ish zyrtari i lartë i SHIK-ut Ilir Kumbaro (i cili me identitet të vjedhur po qëndron në Britaninë e Madhe) të sillet për të dëshmuar dhe zbardhur fatin e Remziut. Për një gjë të tillë gjatë gjithë këtyre viteve pat munguar ky vullnet, siç pat munguar ai vullnet edhe nga ish drejtuesi i këtij shërbimi Bashkim Gazidedo, të cilin vdekja e zuri me misterin e rastit të pazbuluar. Shpresojmë që tani të ekzistoj një vullnet i tillë. Opinionit shqiptar ka kohë që në një masë i është servuar një pjesë e së vërtetës për veprimtarinë dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës në Tiranë. Ai në këto shtjellime herë paraqitet si biznesmen, sindikalist etj., në mënyrë fare të përgjithësuar. Në të vërtetë kush ishte Remzi Hoxha? Më atdhetar se Remziun unë nuk takova në atë kohë.
Remzi Hoxha sindikalist
Remziu rrjedh nga një familje bujare
relativisht e pasur, tradicionale shqiptare-shkupjane me shumë fëmijë. Përveç
në Shkup, ata zejen e artarit e ushtronin me mjaft sukses edhe në Ferizaj,
Kaçanik, Prishtinë etj. Remziu përveç kësaj zeje e donte edhe shkollën dhe
ndjeku studimet në Universitetin e Prishtinës, drejtimin e elektroteknikës. Ai
në Ferizaj ushtronte për kohë të gjatë veprimtarinë afariste, kishte dy dyqane
në qendër të Ferizajt si dhe shtëpinë, po ashtu.
Nga aspekti social kishte të gjitha kushtet për një jetë të qetë e të lumtur me
gruan dhe fëmijët e tij. Në vend të këtij komoditeti që e kishte nga afarizmi
ai zgjodhi një rrugë tjetër për kohën, rrugën e sakrifikimit për lirinë
kombëtare si kusht elementar pastaj për të ushtruar afarizëm kuptimplotë dhe të
sigurt. Para angazhimit në sindikatë kishte kontakte me veprimtarë të lëvizjes
ilegale dhe të burgosur politikë. Me LPRK-në, gjegjësisht veprimtarët e saj i
ndihmonte pa masë. Më 1989 ai edhe zyrtarisht aktivizohet në sindikatën e
ekonomisë së vogël dhe të zejtarisë së Ferizajt në fillim e pastaj merr
udhëheqjen e tërë degës sindikale në nivel të Kosovës. Ai gjithashtu drejtoi
komisionin komunal të Ferizajit për referendum për pavarësinë e Kosovës në
vitin 1990. Angazhimin e tij sindikal ai fare thjesht e arsyetonte: është vend
ideal për të bërë rezistencën aktive për të shprehur humanizëm e solidaritet,
si dhe përgatitje për ditë më të vështira, por që do t’i takojnë krenarisë
kombëtare. Ai këtë rezistencë aktive e promovonte fillimisht në Ferizaj e
pastaj edhe në qytete tjera si p.sh. mbajtja e qëndrimit për mosvendosjen e
flamujve të Serbisë në objektet afariste private për festa të ndryshme,
zakonisht serbe, si formë e rezistencës aktive kolektive. Ngjashëm ishte edhe
refuzimi për të vënë mbishkrimet cirilike në po ato objekte, përkundër
qëndrimeve krejt të kundërta të politikës së atëhershme shqiptare në Kosovë.
Gradualisht Remziu përveç degës sindikale mori në udhëheqje edhe Trupin
Koordinues të sindikatave në Ferizaj dhe e shndërroi në qendër të vendosjes së
rezistencës aktive politike. Ai gjatë gjithë veprimtarisë së tij jepte
shembullin e vet. Në kongresin e parë të BSPK-së të mbajtur në Gjakovë më
01.07.1990 ka qenë prezent si delegat i Kongresit dhe atë në shoqëri të Eva
Brendli aktivisten ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ai aktivisten e
shoqëroi edhe ditën e nesërme në Kuvendin e Kosovës gjatë shpalljes së
Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990.
Remzi Hoxha ishte një ndër organizatorët dhe nikoqirët e ardhjes së
delegacionit të parë ndërkombëtar sindikal vizitë Kosovës te Don Salajman dhe
Janez Kociancic nga konfederatat e sindikatave të lira me seli në Bruksel. E
shoqëroi Don Salajman në një takim të tillë të organizuar edhe në Vushtrri, nga
ku u pajis me shumë të dhëna faktike për largimet e dhunshme nga puna të
shqiptarëve. Ai edhe u arrestua po për këtë aktivitet për herë të parë e pastaj
s’kanë pasur të ndalur arrestimet e tija, e sidomos thirrja në biseda
informative. Ishte organizator i grevës së 3 shtatorit për Ferizaj si dhe
protestës defiluese njëorëshe qendrës së qytetit. Ishte ideatori dhe zbatuesi
praktik i themelimit të sindikatave simotra në tërë hapësirën shqiptare si
nevojë e veprimit drejtë lirisë kombëtare. Do të na duhen më vonë u thoshte
Remziu afaristëve të gjithë trevës shqiptare. Ai atyre viteve mendonte se
strukturimi i tillë do të na duhej për luftën që ai e kishte në kokë, si formën
e vetme për çlirimin e Kosovës. Ai në Shkup mbajti takime me krerët e lëvizjes
sindikale të Shqipërisë.
Remzi Hoxha, veprimtar kombëtar
Remziu ishte ai i cili në çdo takim zyrtar apo
edhe privat përdorte shprehjen pjesa e ndarë e kombit apo e territorit
shqiptar. Atij i pengonin shprehje tjera gjeografike të fiksuara në kokat tona.
Që nga fundi i vitit 1990 dhe fillimi i vitit 1991 filloi të shfaqë mendimet
për organizimin e rezistencës së armatosur si formë të vetme për çlirim të
trojeve shqiptare si dhe rolin e sindikatës së afaristëve privat e shihte me
këtë qëllim parapërgatitor qoftë për sigurimin e mjeteve monetare për armatim
apo edhe mbajtjen e logjistikës së një force ushtarake në trevat shqiptare të
okupuara.
Kjo ishte edhe arsyeja e krijimit të celulave sindikale në Shkup, Strugë,
Kërçovë, Preshevë, Ulqin etj. Remziu mbante kontakte edhe me shtetin shqiptar
përmes vizitave ambasadave të Shqipërisë në Sofje e Beograd. I kam shumë të
freskëta kujtimet nga bisedat në ato takime. Remziu gjatë aktivitetit të tij u
kontaktua edhe me udhëheqësit e frontit për organizim ilegal të kohës. Me
Frontin, që drejtohej nga Mentor Kaçi, Sokol Dobruna, etj. u lidhëm përmes
bashkëveprimtarit tonë, sekretarit të degës, Basri Zuka, si dhe njërit ndër
miqtë më të mirë të Remziut, Shefqet Maliqit. Fillimisht në kontakte ishim me
Afri Morinën, njëri ndër bashkëveprimtarët e Ukshin Hotit, ku dhe u pajtuam për
t’u përgatitur për organizimin e luftës, si formë
e vetme për çlirimin e Kosovës. Me ta filloi të punojë apo u ndihmoi në
krijimin e kushteve për blerjen e armatimit dhe mbështetjes tjetër për luftë. Këtë
edhe e bëri. Disponojmë edhe faturat monetare të dhëna për këtë qëllim.
Në këtë periudhë kohore, për të gjithë veprimtarinën e zhvilluar u pajtuam edhe me Zahir Pajazitin. Takimi me të u mundësua nga veprimtari Bajram Kosumi. Takimi i parë u zhvillua në periferi të Prishtinës rrugës për në Podujevë.
Burgosja e një pjese të grupit, e vështirësoi punën, por jo edhe aktivitetin tonë drejt këtij qëllimi.
Sipas
deklarimeve të tij ai mbante kontakte edhe me 2 nënkryetarët e qeverisë
Bukoshi, e veçanërisht e çmonte Ramush Tahirin. Në mënyrën e vet gjithsesi
klandestine siguroi një sasi të armatimit tejet modern dhe të konsiderueshëm,
të cilin edhe e futi në Kosovë, gjithsesi me ndihmën e bashkëveprimtarëve, e
veçanërisht Shefqet Maliqit. Ky fakt mund të ishte edhe qëllimi i kontakteve me
nënkryetarët e qeverisë Bukoshi për sigurim të mjeteve financiare. Pas
burgosjes së një numri të veprimtarëve të Frontit si dhe pas ndjekjes së
vazhdueshme nga policia serbe, Remziu detyrohet të braktisë Kosovën për të bërë
jetë ilegale për rreth saj gjithnjë aktiv. Ai kishte mbështetje në veprimtarinë
e tij kombëtare edhe nga vëllezërit e tij si dhe afaristët shkupjanë. Ai në
këtë kohë ishte arrestuar shumë herë, dhe rrahur brutalisht, por që asnjëherë
ne miqve e bashkëveprimtarëve nuk na tregonte, arsyeja ishte e thjeshtë; nuk donte që për ansë moment të ndalej
aktiviteti ynë. Jetën ilegale e bënte herë në shtëpinë e veprimtarit Behar
Sherifi, tek Shefqet Maliqi, në Prishtinë tek Basri Zuka, dhe në Vushtrri.
Zbardhjen e tërë aktiviteti ilegal të Remziut në asnjë formë unë në mënyrë
vetanake nuk mund ta bëj, Remziu krijoi edhe një mekanizëm apo urë ku e vërteta
për Kosovën si dhe dëshmitë për dhunën e vazhdueshme serbe të plasohen jashtë.
Grumbullonte materiale faktike dhe përmes lidhjes së tij i dorëzonte kryetarit
të komisionit për ankesa dhe parashtresa të kuvendit federativ Ismet Ramadani
nga aty siç me thoshte Dërnovshek i plasonte jashtë vendit. Në aktivitet të
tilla shpeshherë kemi qenë edhe bashkë. Remziu gjithashtu kishte krijuar një
lidhje me Vllado Kmabvaski, ish-ministër i drejtësisë dhe atij ia dorëzon tërë
dokumentacionin e grumbulluar për shkeljet sistemore të drejtave të afaristëve
nga ajo ministri me Remziun tërhoqëm edhe vendimet për legalizim të BSPK-se,
LDK-se institutin ekonomik të Kosovës konkretisht drejtorin e saj dr. Musa
Limanin e autorizon të hartojë një projekt të zhvillimit dhe integrimit
ekonomik të hapësirës shqiptare pasi që mendonte se ky është një ndër kushtet
esenciale për bashkësinë ndërkombëtare dhe si avanc pagoi një shumë të
konsideruar para nga sindikata.
Remziun për herë të fundit e kam takuar në Tiranë, në kohën e marrjes së
vendimit për aplikimin e zgjedhjeve të lira dhe fillim të jetës plurale e
demokracisë si formë e qeverisjes në shtetin amë dhe qëndruam plot një javë
bashkë së bashku edhe me dr. Hajrulla Gorani (kryetar i BSPK-së ) akademik
Rexhep Qosjen, akademik Idriz Ajetin dhe shkrimtarin e publicistin Ramiz
Kelmendi, në realizim të një ideje përmbajtjen e kuvendit për bashkim e pajtim
kombëtar. Po të njëjtën kohë në Tiranë mbahej edhe kuvendi i sindikatave të
lira shqiptare. Meqë Gorani ishte i zënë, na autorizoi ne të dy për të
prezantuar dhe për të përshëndetur punimet e atij kuvendi, Remziu edhe bëri
përshëndetje në emër të BSPK-së. Në pauzë të punimeve të këtij kuvendi na u
afrua një aktivist drejtues sindikal, e nëse nuk gabohem, quhej Gëzim Kalaja. I
shqetësuar na njoftoi për rolin e një përfaqësuesi gjoja të konfederatave të
sindikatave të lira evropiane, i cili në fakt edhe udhëhoqi punimet e kuvendit
dhe se kishte bërë shumë pastrime kuadrosh sindikale në emër të demokracisë dhe
quhej Sasha Morina. Të njëjtin person e kishim takuar edhe me liderë opozitarë
si dhe publicist të asaj kohe. Kureshtja për të mësuar me shumë për misionin e
Sashës na bëri që ne të takohemi me të për çdo dit të qëndrimit në Tiranë. Ai
si gjithnjë vinte në takime me udhëheqësit sindikal shqiptar në të cilët kishte
ndikim tejet të madh. Takimi i fundit për ne në këtë përbërje për pak sa të
bëhej edhe fatal për jetën tonë. Ishim në tavernën e hotel “Tiranës” me trupin
e sindikalistëve shqiptarë dhe Sashën mes tyre. Sasha si gjithmonë në krye të
vendit kryente emisionin e tij me plot sukses, dhe tentimi ynë për të penguar
të gjithë nuk do të jepte kurrfarë rezultati. Atë natë “Sasha sindikalisti”
kaloi krejt kufijtë e arsyes, si duket i ngazëllyer nga sukseset e tij në
Shqipëri na u sul neve nga Kosova me gjithë far etiketash ofenduese.
Qëndrimi
ynë paraprak ishte që vetëm të heshtim dhe të dëgjojmë model ky i aplikuar qysh
nga dita e parë e takimit Por, këtë natë me ne ishte për herë të parë një mik i
imi i cili mundi të përballojë fyerjet e Sashës dhe animin e sindikalistëve
shqiptarë si duket të manipuluar apo blerë. Reagimi erdhi pas deklarimit të
Sashës (i cili vazhdimisht thoshte se flet në emër të sindikatave të lira të
Evropës) kur u deklarua “Ju kosovarët për të arriturat që keni bërë duhet t’ia
lani këmbët Millosheviqit dhe t’ia pini ujin” këtë fyerje nuk e përballoi së
pari miku im i ri i cili u çua edhe e shau Sashën, Milloshin dhe gjithë këta që
po i dëgjojnë kopallat e tij. Për të qenë ironia më e madhe ne na u vërsulën në
sulm fizik 7-8 udhëheqësit sindikal duke munduar të nxjerrin armë të ndryshme,
por për fat tonin na shpëtoi një djalë i ri në tavolinën përballë që gjatë
gjithë kohës kishte dëgjuar bisedën na doli në ndihmë në mënyrën e vet të
përsosur dhe shpëtuam. Ne për gjithë këtë ngjarje dhe rolin e Sashës njoftuam
prof. Goranin dhe normalisht Remziu lidhjet e veta që kishte. Ne nga takimet me
Sashën dhe sindikalistët shqiptarë kishim siguruar mjaft faktografi. Shumë më
vonë kam dëgjuar pak për fatin e Sashës si dhe misionin e tij. Po i zbardhi
këto gjëra tani si dhe të tjerat më pastaj duke shpresuar se mund të jenë
motive të zhdukjes apo arrestimit të Remziut në Tiranë.
Krejt në fund në ndarje me Remziun në Tiranë i thamë lehtë për ty tani je në
vendin e shqipes të cilin e deshe shumë dhe je i lirë të veprosh po unë që po
kthehem? Buzëqeshi dhe ma ktheu “kam ende ca probleme të vogla, por të
pazgjidhura (në rrugën e tij të veprimtarisë kombëtare) dhe më duhet ta takoj
ca veprimtar gjithsesi si dhe disa probleme tjera më të mëdha që duhet zgjidhur
me kujdes , për të filluar me rezistencën e armatosur në Kosovë.Nuk kam
insistuar të di më shumë pasi e dija aktivitetin e tij, por unë vija në Kosovë
dhe mundësitë e arrestimit ishin evidente.
Remzi Hoxha financonte aktivitetet e veprimtarëve kombëtarë që njihte apo edhe
dëgjonte të burgosurit politikë, familjet e tyre, por edhe ata që liroheshin
dhe hynin në jetën e organizuar të veprimit kombëtar qoftë legal apo ilegal. Ai
këtë aktivitet nuk e bënte të dukej dhe vazhdimisht gjente mënyra adekuate për
të realizuar atë qëllim. Korrektësia dhe vetë qëllimi i asaj ndihme nuk më lë
që të përmend ata.
Remzi Hoxha humanist
Karakteri i Remziut humanist buron nga vetë
familja e tij. Shtëpia e tyre në Shkup ishte vendi i strehimit për të
përndjekurit, djemtë e ri të ikur nga arrestimet për mos përgjigjeje në
thirrjen për shërbim në armatën jugosllave në pritje për të dal jashtë,
hallexhinjtë e ndryshëm etj.
Ishte vend pushimi dhe qëndrimi komod edhe për politikanët dhe aktivistët e
ndryshëm. Kati i fundit i shtëpisë ishte i mbushur me shtretër edhe dy katesh
dhe vazhdimisht ishte i mbushur. Remziu aktivitetin e vet solidar e zhvilloi në
aksionin për ndihmën minatorëve të Stan Tregut të larguar nga miniera. Ndihma
personale dhe e miqve të tij afaristë ishte e konsideruar. Ai Sindikatën e
Afaristëve e kualifikonte për ditët e vështira që vinin si “Buka e Kosovës”.
Remziu ishte pjesë e të gjitha komisioneve solidare të qytetit të Ferizajt.
Remziu ishte themelues dhe financues i KMDLNJ-se në Ferizaj. Ishte një prej
anëtarëve për përpilimin e kartelave sociale e shëndetësore për të gjitha
familjet skamnore në Ferizaj dhe realizimin e saj në praktikë. Jep kontribut të
çmuar me lidhjet e tij në aksionet “Familja ndihmon familjen”. Organizon
aksionin për sigurimin e barnave dhe sanitarisë për raste lufte apo emergjente.
Kontribuoi në zgjerimin e bazës grumbulluese në këshillin financiar. Korrespodencën
e “Rilindjes” si gazetë e vetme ditore e atëhershme e pajisi komplet me
aparaturë. Ndihmoi financiarisht në adaptimin e ambulancës së “Nënës Terezë” në
Ferizaj. Vëllezërit Hoxha nga Shkupi sa herë që kërkohej ndihmë monetare nga
Remziu për rastet sociale në Kosove, ata në Çarshinë e Shkupit e realizonin me
urgjencë. Remziu dhe familja e tij ndihmuan në shërimin e shumë pacientëve nga
Kosova në spitalet e Shkupit. Përmes Remziut shqiptarët e Ladorishtes e
fshatrave tjera të Maqedonisë ndihmuan Kosovën. Vizitoi dhe u ndihmoi disa nga
delegatët e Kuvendit të Kosovës që shpallën deklaratën kushtetuese.
Remzi Hoxha politikan
Remziu aktivisht nuk u inkuadrua në parti
politike edhe pse në fillim të 90-tave e shohim si delegat të Kuvendit të Degës
së LDK-së në Ferizaj. Më vonë vazhdimisht ishte në kundërshtim me qëndrimin e
përgjumur të kësaj partie. Ai nuk u mor me parti politike, por me sindikatën e
tij dhe bashkëveprimtarët krijoi politikën, ai e bënte politikën. Qëndrimet e
tija për rezistencë aktive në çdo sferë ishin thjesht thelb në strategjinë e
veprimit politik e programi i integrimit kombëtar ishte moto e aktivitetet
politik të tij. E kishte të qartë se po qe se stërkuqet rezistenca paqësore e
aplikuar nga politika lufta është pashmangshme. Në një takim që kishim pas
grevës së 3 shtatorit me një delegacion të kryesisë së LDK-së në selinë e saj
në Prishtinë (Fehmi Agani, Nekibe Kelmendi, Ibrahim Berisha e ndonjë tjetër),
ai u nda i zhgënjyer nga takimi. Tema e bisedave ishte se cila strategji e koordinuar
të veprojë pas mbylljes së veprimtarisë afariste nga pushtuesit për rastin e
grevës. LDK-ja kërkonte që të ketë mbrojtje institucionale, të aplikohej pra
përmes gjyqeve serbe të realizoheshin të drejtat. Remziu ishte për formë të
veprimit politik të rezistencës aktive, atë të thyerjes së drurëve dhe hapur
objektet tona afariste pa procedura dhe pa përfill pushtuesin serb, pasi edhe
ashtu ishin mbyllur. Remziu e donte veprimin politik aktiv jo për poste a
pozitë a pushtete morale institucionale. Ai përmes atyre veprimeve synonte
mobilizimin qytetar në realizim të interesit kombëtar.
Me këtë shkrim nuk pretendoj për të mbyll shpjegimin e veprimtarisë kombëtare
pasi ajo është shumë e madhe. Qëndrimi i institucioneve të shtetit shqiptar,
por edhe atij në Kosovë e edhe në Maqedoni është fare i pakuptim, për të parin
bizar e të tjerët të përgjumur e qyqarë, e Remziu veproi që shqiptarët në këto
treva të kenë institucione të lira e demokratike.
Porosia e drejtuar në vitin 2008 për drejtorin e SHIK-ut të atëhershëm
Nuk do të dëshiroja assesi që me vdekjen e
Bashkim Gazidedës të vdes edhe shpresa për të zbardhur të vërtetën për fatin e
Remzi Hoxhës. Remzi Hoxha u arrestua më 21 tetor 1995 në qendër të Tiranës nga
pjesëtarët e SHIK-ut, i cili ishte i komanduar nga Bashkim Gazidede. Arrestimi
u bë në mes të ditës dhe nga persona zyrtarë. Veturat e përdorura ishin të po
kësaj krijese që mendon të jetë kombëtare si dhe në prezencën e dëshmitarëve,
punëtorëve të punëtorisë së Remziut, të cilët këtë fakt e prezantojnë me një
deklaratë të firmosur dhe të bërë publike. Zyrtarisht një fakt i tillë për këtë
arrestim vërtetohet edhe nga vetë SHIK-u në shkresën zyrtare të tij si
përgjigjeje Avokatit të popullit Nr. 2294 Tiranë 31.07.2002 ku thuhet qartë
“… një ndër automjetet që është përdorur për këtë arrestim është se vetura me
targa TR 2449 C i takonte SHIK-ut dhe se ajo është tërhequr nga shefi i
prapavijës së drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë Nuredin Dërvishi për nevoja
operative me datë 20.10 1995. Më pas është i dorëzuar ish-drejtorit të SHIK-ut
në Tiranë Mehmet Hagjolli. Nga të dhënat operative konfirmohet fakti se në këtë
operacion ka marrë pjesë edhe shefi i bazës 10 të vëzhgimit Avni Kolldashi. Pas
arrestimit të Remziut nga ta është dorëzuar tek oficerët operativ si Ilir
Kumbaro dhe Arben Sefëgjini, kryetar dege dhe zëvendësdrejtor në drejtorinë e
SHIK-ut në Tiranë. I arrestuari është dërguar në një bazë sekrete në Vain të
Lezhës”.
Bashkim Gazidede si shef i këtij shërbimi edhe në shkresën e tij Nr. 3755 datë
95/96 drejtuar prokurorisë mohon se vetura është marrë në datën e caktuar dhe
përdorur nga SHIK-u, duke injoruar edhe faktet e cekura më lartë dhe këtu edhe
i vihet pikë aktivitetit për zbardhjen e fatit të Remziut, pasi vullneti i
Gazidedës dhe mohimi i tij kishte fuqi për të bërë këtë.
Dëshmitarët të këtij rrëmbimi zyrtar paraqiten
edhe Ziso Kristopolo nga Saranda si dhe Armend Loshaj nga Deçani, të arrestuar
po atë ditë nga SHIK-u për po të njëjtin rast. Ziso tani jep shpjegimet dhe për
natyrën e bisedave nga inspektorët e SHIK-ut, të tëra të natyrës politike dhe
ngjarje të konstruktuara nga vetë ata. Vetëm motivi është ende i paqartë dhe
mund të spekulohet. Dëshmitari tjetër dhe i arrestuari Armend Loshaj në këtë
mes ka një rol krejtësisht tjetër. Që të dy dëshmitarët janë gjallë.
Në dokumentin zyrtar të SHIK-ut paraqiten në përfundim se si të implikuar në
rrëmbim dhe zhdukje inspektorët Avni Kodashi (më vonë i liruar nga shërbimi
1998), Ilir Kumbaro i liruar nga shërbimi 1996, Dion Mece i liruar më 1997, Arben
Sefëgjini 1997, Behxhet Muhellasi i liruar më 1997, Roland Dede shofer i Ilir
Kumbarës. Për këtë ngjarje ka pasur dijeni edhe zëvendësdrejtori i
kundërzbulimit Flamur Gjymyshka (kunat i Gazidedës). Se është marrë vetura
zyrtare me targa të cekura nga të lartpërmendurit ka edhe një konfirmim tjetër
zyrtar Nr. 805/2 data 30 03 1996 të policisë rrugore të nënshkruar nga drejtori
i Policisë rrugore të Ministrisë së Brendshme kolonel Edmond Kasesi …
E dëgjova me vëmendje paraqitjen e Gazidedës para se të vdes në TV Klan, është
e para publike pas kthimit nga azili në vendet islamike dhe mendoja se kjo kohë
i ka mundësuar që të ndryshojë pozitivisht, por jo ishte ai i vjetri dhe ai me
të vërtetë dinte të fliste vetëm nga pozita e të fortit, pasi edhe ishte në atë
pozitë të mbështetur nga politika pushtetare gjithsesi. Gazidede në atë
paraqitje publike ironizoi aq shumë dhe fare gjakftohtë refuzonte faktet që ai,
përkatësisht vartësit e tij rrëmbyen një atdhetar. Të ironizosh nuk është
forcë, është virtyti më i dobët në karakterin e njeriut. Mohonte fare thjesht e
pa asnjë argument faktet e ofruara për veturën e përdorur dhe dëshmitarët që
dëshmojnë këtë ngjarje. Në procedurën hetimore vartësit e tij e pranojnë se
Remziun e kanë arrestuar dhe dorëzuar eprorëve për trajtim të mëtejmë, ndërsa
ai e mohonte këtë. Ky ishte cinizëmi i Gazidedës. Ishte i fortë dhe në shtetet
me demokraci të brishtë ku nuk sundon ligji por vullneti politik, ia ofruan
këtë hapësirë që të luante me ndjenjat e familjarëve dhe shumë të interesuarve
tjerë për zbardhjen e së vërtetës për ngjarjen në fjalë. Një shef i shërbimeve
informative, në një shtet të Evropës juglindore mos të di për aktivitetin e
vartësve të tij dhe mos të ketë njohuri për rrëmbimet në mes të ditës, vërtet
është qesharake. Vallë, çfarë pune të ketë bërë atëherë ai?
Ai dhe vartësit e tij, por dhe politika që i mbështetë janë duke e fshehur të
vërtetën për krimin e bërë dhe sa kohë ende se kam të qartë. Shpjegimi i tij në
emision se biznesmenëve të rrëmbyer, të zhdukur, vrarë etj., nuk kanë qenë në
fokus të veprimtarisë së SHIK-ut por të policisë dhe se rasti i Remziut nuk
është i vetëm nuk paraqet farë arsyetimi faktik. Remziu nuk ishte biznesmen
tipik dhe të kishte kapacitete të mëdha fitimprurëse. Ai e dinte mirë se rrëmbimet
e biznesmenëve përcillen me kërkesa për përfitime materiale nga i rrëmbyeri
përkatësisht nga familja e tij dhe në këtë rast nuk kishte asnjë kërkesë të
tij. Në rastin në fjalë kishte të bëjë me një veprimtar kombëtar dhe nuk ka
kërkesa përfitimesh materiale.
Duke njohur mirë Remziun jam shumë i sigurt se ai e donte Shqipërinë shumë më
shumë se Gazidede. Si shpjegohet e dhëna se vetëm një ditë pas rrëmbimit të
Remziut në Tiranë, në Ferizaj nga policia serbe u bastisën lokalet sindikale
dhe të tjerat në të cilat punoi Remziu. U bastisën edhe shtëpitë e udhëheqësve
sindikal dhe veprimtarëve kombëtar e që ishin miqtë më të mirë të Remziut.
Policia serbe mori dokumentacionin e gjetur. Është kjo koincidencë apo çfarë?
Si e mohoni arrestimin e Remziut nga vartësit tuaj kur ai u prangos në ora
13:30 e në ora 14:45 prapë vartësit tuaj u rikthyen për ndonjë dokumentacion
dhe për t’u treguar punëtorëve se Remziu po verifikohet në organe.
Letra publike e dërguar në vitin 2008 për Sali Berishën në kohën sa ishte kryeministër
U gëzuam ne shokët dhe bashkëveprimtarët me
fillimin e proceseve demokratike në Shqipëri si vendi ynë i shenjtë. Marrja e
vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të lira na gjeti së bashku me Remziun në
Tiranë. Ishte gëzimi më i madh në jetën tonë që kishim jetuar dhe vepruar për
këtë ditë u vizituam edhe juve dhe partinë Lëvizjen Demokratike edhe pse Remziu
më thoshte se vizita pa një mbështetje të madhe financiare për këtë lëvizje
është boshe. Mendonim që sa më demokratik dhe i konsoliduar të jetë shteti
shqiptar aq më dobiprurëse do të ishte për pjesët tjera të ndara nga trungu ynë
i përbashkët.
Berisha, jam shumë i bindur se rastin e zhdukjes së veprimtarit Remzi Hoxha e
keni të njohur. Jam informuar për përgjigjet që u keni dhënë figurave publike e
politike nga ana tjetër e trojeve shqiptare se ju nuk keni njohuri për raste të
tilla pasi në Shqipërinë që ju e udhëhiqnit pushteti është i ndarë dhe politika
nuk përzihet në mekanizmat e sigurisë. Arsyetimi i tillë nuk qëndron fare apo
është i njohur vetëm në teori.
Mekanizmat e tillë të sigurisë janë leva në dorë të pushtetit e të politikës e
veçanërisht për shtetet e Ballkanit kjo është bazike. Berisha kaluan ca vite të
juaja në opozitë dhe ju keni fituar besoj një përvojë nga gabimet e qeverisjes
së parë dhe shtetin shqiptar do ta shpini drejt konsolidimit në shtet të së
drejtës, ku ligji dhe përgjegjësia para tij është fundamentale. Lufta e filluar
kundër krimit të organizuar, korrupsionit etj., nga Ju më jepte shpresë për një
mendim të tillë. Shpresova që edhe për fatin e bashkëveprimtarit tonë tani më
lehtë mund ta zbardhim, por shpejt u zhgënjeva. Berisha, ju me rikthimin e
Gazidedes dhe dhënies së një posti në qeverisje më demantuat dhe gradualisht
tregoni se jeni po ai i vjetri. Në vend të qelisë ju e shpërbleni mikun tuaj
dhe këtu vërehet qartë se pushtete të ndara nuk ka pas as atëherë e as sot. Kam
pritur se gjatë qëndrimit tuaj disa ditor në Kosovë do të ktheheshit në
familjen e Remziut dhe të kërkoni falje për humbjen e birit të tyre. Kështu bëjnë
liderët e përgjegjshëm. Nuk është ligësi të pranohet gabimi, e të ndëshkohen
fajtorët. Dëshirojmë që e vërteta të nxirret vullnetshëm dhe ju mund të
kontribuoni për të. Sakrifikoni ca miq për të vërtetën dhe drejtësinë. Ne nuk
dëshirojmë që gjerë te ky akt të vijë detyrueshëm për shtetin shqiptar edhe pse
durimit i ka ardhur fundi, u bënë 15 vjet.
Kryeministër, kaloni vetëm për pesë minuta në anën e familjarëve dhe
dashamirëve dhe miqve të shumtë të Remziut, dhe sigurisht se do ta merrni
vendimin meritor. Këtë veprim e keni borxh dhe me marrjen e tij nuk humbni
asgjë personalisht.
Ne bashkëveprimtarët e Remziut, e konsiderojmë arrestimin e tij politik, ngase në atë kohë juve ish-kryeministër Berisha ju duhej një kurban, dhe e gjetët Remziun për ta realizuar sajesën tuaj se jeni i rrezikuar dhe e dëshironit rolin e viktimës në kohën kur ju kishit humbur mbështetjen qytetare, por edhe të miqve perëndimorë. Skenari i tillë ju dështoi, pasi Remziu përkundër gjithë atyre torturave nuk e pranoi këtë rol, dhe aryesja dihet, Remziu kurrë nuk do ta lëndonte Shqipërinë që aq shumë e deshti, mbase shumë më shumë se ju dhe strukturat tuaja vartëse.
Rasti në Ohër, dhe
vizitat e Arkanit bashkë me bashkëshorten e tij Cecën në Tiranë e Shkodër atyre
viteve, për të cilat Remziu kishte informata të sakta, e dëshmojnë këtë.