12:31 / E Diele, 27 Tetor 2019 / indeksADMonline

Samiti i Paqes: Mediat t’i shërbejnë më shumë popullit

Në ditën e fundit të Samit të Paqes për Evropën Juglindore që po mbahet në Tiranë, në vazhdën e sesioneve të ndryshme që po zhvillohen u diskutua për mediat në shekullin 21, sfidat dhe mundësitë e tyre.

Me këtë rast u tha se roli i mediave në shoqëri duhet të vazhdojë të jetë i rëndësishëm, të respektohet liria e shprehjes, por edhe mediat t’i shërbejnë më shumë popullit se sa elitave politike.

Në një panel prej personaliteteve të ndryshme botërore, gazetari dhe drejtori i Transparency Internacional në Shqipëri, Lutfi Dervishi duke folur për rolin e mediave në shoqëri, tha se në Shqipëri situata është e mirë për nga sasia, por jo për nga cilësia e mediave.

Ndërkaq, Thomas McDevitt, kryetar i The Washington Times në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha se janë të përkushtuar të ndërtojnë një strategji të madhe gjeopolitike në mënyrë që të arrijnë të ndikojnë në botë për qëllime të paqes.

Ndërsa, ministrja e Reformës Administrative në Liban, ish gazetarja May Chidiac foli për rolin e rëndësishëm të mediave në shoqëri, teksa tha se liria e shprehjes nuk duhet të vdesë kurrë.

E Predrag Vujoviq, themelues i shkollës për marrëdhënie publike dhe komunikim në Serbi, tha se më parë ka pasur agjenci lajmesh të medias masive, ndërkohë që tani janë zhvendosur drejt mediave sociale e në internet, gjë që ka ndikim të madh në mendimin e publikut.

Ai foli për mediat në Serbi, ku tha se nga 10 sa janë, vetëm një është e pa politizuar.

Ai tha se sfidat kryesore që përballet sot media janë lajmet e rreme, censura, e mosrespektimini i të drejtave të njeriut.