20:42 / E Diele, 10 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Sarri: Bëmë gabime ndaj kundërshtarit të gabuar

Maurizio Sarri i ka orët e numëruara si trajner i Chelseas. tekniku italian është mposhtur nga Guardiola me rezultat 6-0.

Ai madje nuk i zgjati as dorën kundërshtarit që e turpëroi, shkruan Indeksonline.

Pas ndeshjes Sarri ka sqaruar gabimet ku bëri skuadra e tij kundrejt rivalit më të fortë të Premierligës.

“Për momentin nuk jam i aftë të jap sqarime. Gjatë të gjithë javës kisha një ndjesi pozitive në stërvitje. Mbase goli i pësuar pas vetëm 3 minutash ishte i vështirë për tu kapërdirë. Ishte e vështirë të mos u jepje atyre hapësira. Ne ishim në telashe. Nuk jam në gjendje ta kuptoj”.

“Bëmë shumë gabime ndaj kundërshtarit të gabuar. Ata luajtën futboll në mënyrë fantastike, ndërsa ne bëmë një mori gabimesh. Në fillim donim t’u ushtronim presion, por pastaj plani u shkatërrua tërësisht për shkak të golit të pësuar në ato 3 minuta”.

“Mendoj se diferenca e madhe mes dy skuadrave ishte intensiteti i presingut. Ata bënë presion në mënyrë fantastike, ndërsa ne nuk u treguam të aftë për ta bërë. Ne nuk ishim të aftë për të reaguar në mënyrën e duhur. Nuk ia dolëm dot të qëndronim në ndeshje”.

“Për momentin ne kemi një problem të madh në transfertë. Në fillim të sezonit ishim më mirë në transfertë se në shtëpi. Por gjithçka ka ndryshuar në muajin e fundit. Duhet ta kuptojmë. Është e drejtë. Unë jam përgjegjës për skuadrën, kështu që është e drejtë të përballem me presionin. Duhet të pyesni klubin, nëse do të diskutohet e ardhmja”, deklaroi trajneri i Chelseas, Maurizio Sarri.