22:14 / E Martë, 13 Shkurt 2018 / indeksADMonline

SBASHK paralajmëron grevë të përshkallëzuar

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka marr vendim që nesër të nis greva në arsim. Përveç shkollave fillore dhe atyre të mesme, në grevë do të jenë edhe Universitetet.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari për Indeksonline ka bërë të ditur hapat e mëtutjeshëm nëse kërkesa e tyre për rritje rrogë nuk plotësohet nga Qeveria e Kosovës.

Jashari ka thënë se nëse me grevën njëorëshe nuk realizohen kërkesat, atëherë me 20 shkurt do të nisin grevën e përshkallëzuar.

“Nëse qeveria nuk reflekton ashtu siç duhet, atëherë ne do të vazhdojmë patjetër dhe me 20 shkurt do të kemi një grevë të përshkallëzuar, që nënkupton që do të kemi grevë dy orësh në ndërrimin e paradites dhe dy orë në ndërrimin e pasdites në arsimin parauniversitar. Po ashtu, edhe në universitet do të jenë në grevë nga ora 10 deri në ora 12. Pastaj, pasi që kongresi është shumë afër, pritet që të debatohet për këtë çështje dhe kongresi është i autorizuar si organ më i lartë që të marr vendime. Dhe duke e parë situatën, nëse nuk ndryshojnë gjerat pozitivisht, patjetër do të merr vendime që të shkohet edhe me forma të tjera të presionit duke mos përjashtuar protesta, qoftë në komuna, qoftë në qendër të kryeqytetit e poashtu të vazhdohet edhe me grevën në kohë të pacaktuar deri në realizimin e kërkesave”, ka paralajmëruar Jashari për Indeksonline.

Jashari ka thënë se nesër përveç shkollave edhe universiteti do të këtë grevë nga ora 10 deri në orën 11.

“Këshilli Drejtues i SBASHK-ut në një mbledhje të jashtëzakonshme ka sjellë vendim që të fillojmë me veprime të përshkallzuara që nënkupton, nesër do të fillojmë më veprimin e parë sindikal, që është grevë njëorësh në arsimin para universitar por edhe në universitet e Kosovës, se ora e parë e paradites do të jetë grevë e poashtu ndërrimi i pasdites do të jetë grevë. Kurse, universiteti si pjesë e SBASHK-ut, nesër do ta ketë grevën nga ora 10 deri në ora 11”, ka shtuar Jashari.

Ndërsa, sot gjatë ditës Këshilli i Prindërve duke falënderuar mësimdhënësit, kanë kundërshtuar kërkesën për grevë si formë e zgjedhjes së problemeve që kanë mësimdhënësit./Indeksonline/