23:29 / E Diele, 20 Janar 2019 / indeksADMonline

SBASHK-u hedh poshtë ofertën e Haradinajt, kryetarët e këtyre komunave apelojnë për rifillim të mësimit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj zhvilloi sonte një takim me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Pas takimit të zhvilluar në orët e mbrëmjes në objektin e Qeverisë së Kosovës, Haradinaj u deklarua rreth ofertës që iu është bërë përfaqësuesve të SBASHK-ut, në mënyrë që të ndërpret greva e nisur me 14 janar.

Pavarësisht ofertës së Haradinajt për rritje të pagave për të gjithë mësimdhënësit në vend, duke filluar nga ata në parashkollore, SBASHK-u nuk do të ndërpres grevën.

Kjo gjë u bë e ditur përmes një njoftimi për media, ku SBASHK-u hodhi poshtë ofertën e Haradinajt për ngritjen e koeficientit prej 0.2 për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar duke paralajmëruar kështu vazhdimin e grevës në ditët e ardhshme.

“Te nderuar anëtar të SBASHK-ut dhe punonjës të te gjitha institucioneve arsimore ju informojmë se Sonte në orët e vona të mbrëmjes ( në ora 19 ) ne objektin e qeverisë Kryetari Jasharaj u takua me Kryeministrin Haradinaj dhe ministrin Bytyqi ku mori një ofertë në formë të shkruar nga kryeministri Haradinaj në të cilën ofertë kishte ngritje të koeficientit prej 0.2 vetëm për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar (nga çerdhet e deri tek shkollat e mesme), që është rreth 10 % e ngritjes së koeficiontit. Kjo ofertë nuk i plotëson kërkesat e SBASHK-ut, aq më shumë pasi qe nuk janë përfshirë punëtorët teknik , punëtorët administrativ si dhe i tërë sistemi universitar.Ju njoftojmë se greva vazhdon edhe ditët ne vijmë më shpresën se dialogu do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të anëtarësisë”, u tha në njoftimin e SBASHK-ut.

Por, pavarësisht kësaj janë shumë kryetarë komunash të cilët tashmë kanë njoftuar se kërkojnë nga nxënësit dhe mësimdhënësit që nesër të jenë në objektet shkollore me orarin e paraparë për gjysmëvjetorin e dytë, në mënyrë që të mos humbet më shumë nga zhvillimi i mësimit.

Disa prej tyre në mënyrë direkte, disa duke bërë apel tek mësimdhënësit kërkuan që mësimi të rifillojë sa më parë.

Ishte Komuna e Junikut e para që njoftoi nxënësit se mësimi fillon nesër me orar të paraparë.

Ndërsa i pari i komunës së Vitisë apelojë tek mësimdhënësit që të rifillojnë mësimin, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi mësimor.

Një kërkesë të ngjashme drejtuar mësimdhënësve kanë bërë edhe shumë kryetarë komunash të tjerë.

Komuna e Mamushës, e Hanit të Elezit, komuna e Deçanit, kryetari i komunë së Mitrovicës, Agim Bahtiri, komuna e Rahovecit, ajo e Suharekës si dhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti si dhe komuna e Klinës.

Tutje apel të njëjtë në drejtim të mësimdhënësve deri më tani kanë bërë edhe i pari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj si dhe kryetari i Malishevës, Ragip Begaj.

Kësisoj del që shumë prej komunave haptazi kanë kërkuar nga SBASHK-u që të mos vazhdojë grevën dhe t’i rikthehen procesit të rregullt mësimor, në mënyrë që fëmijët mos të jenë të dëmtuarit e gjithë këtij kundërshtimi.

Ndryshe Haradinaj sot ofroi rritje të pagave për të gjithë mësimdhënësit, pra 20 milionë euro nga buxheti i shtetit për një vit, duke potencuar se në rast të kundërshtimi të kësaj oferte, grevistët nuk duhet të presin më ofertë nga Qeveria e Kosovës./Indeksonline/

https://indeksonline.net/kjo-do-te-jete-rritja-e-pagave-per-cdo-mesimdhenes-ne-kosove/

https://indeksonline.net/haradinaj-kemi-rritur-pagat-per-mesimdhenesit-ftojme-sbashk-un-qe-te-nderpresin-greven/

https://indeksonline.net/zyrtare-sbashk-u-nuk-pranon-oferten-e-haradinajt-vazhdon-greva-ne-arsim/