21:07 / E Martë, 19 Prill 2022 / OSH

Scholz: Gjermania do t’i japë më shumë armë Ukrainës

Kancelari Olaf Scholz tha të martën se Gjermania do të vazhdojë të mundësojë dërgesat e armëve në Ukrainë, dhe një nga mundësitë që po shqyrton janë sistemet e armëve nga vendet e Evropës Lindore që do të përdoreshin lehtësisht dhe me shpejtësi nga ushtarët ukrainas.

Kancelari Scholz është përballur me presion në rritje nga brenda koalicionit të tij qeverisës dhe partisë kryesore opozitare për t’i dhënë Ukrainës armë të rënda, si tanket gjermane “Leopard”.

Por, zoti Scholz tha se Gjermania dhe partnerët e saj në Grupin e Shtatë vendeve më të industrializuara kanë arritur në përfundimin se është më e logjikshme të dërgohen sisteme të përdorura tashmë në Ukrainë, si armët e epokës sovjetike, që disa partnerë të NATO-s i kanë ende në disponim.

Partnerët perëndimorë do t’i ndihmonin këto vende më pas në zëvendësimin e armëve që do t’i dërgoheshin Ukrainës.

Pas bisedës me Presidentin amerikan Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë të martën, kancelari Scholz tha se “të gjithë ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, financiarisht dhe ushtarakisht”.

Ai tha se përparësia kryesore ka qenë të ofrohet ajo që është e mundur dhe furnizime që mund të përdoren shpejt, fillimisht nga rezervat e kufizuara të Gjermanisë dhe më pas nëpërmjet financimit të blerjeve të Kievit, dhe se çdo vendim i njëanshëm nga Gjermania “do të ishte i gabuar”.

Kancelari Scholz tha se është e rëndësishme të parandalohet përhapja e luftës në vendet e tjera, “kështu që NATO nuk mund dhe nuk do të ndërhyjë drejtpërdrejt në luftë”.