13:56 / E Martë, 16 Janar 2018 / indeksADMonline

Sefaj dënon vrasjen e Ivanoviqit, apelon qytetarët të ruajnë qetësinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dënon aktin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës, duke thënë se ngjarje të tilla nuk i shërbejnë Kosovës në proceset të cilat po kalon.

“Shpreh keqardhje për vrasjen e Oliver Ivanivoiq, dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij. Ftoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit, aktet e tilla nuk e ndihmojnë shoqërinë tonë në përpjekjet e saj për sundim të rendit dhe ligjit. Ftoj qytetarët e Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe të presin rezultatet e hetimeve nga institucionet përgjegjëse. Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e saj mbeten të përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e akterëve para organeve të drejtësisë”, ka thënë ministri Sefaj.

Menjëherë pas këtij rasti ministri Sefaj, priti në takim kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, të dy këta shprehën keqardhje për këtë akt, si dhe ngushëlluan familjen e të ndjerit.

Gjatë këtij takimi ministri Sefaj dhe Bahtiri, përmes zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Milan Radojeviq, i cili gjendet në veriun e Mitrovicës kontaktuan edhe me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ku i shprehën atij gatishmërinë e plotë për zbardhjen e rastit.

Temat: