14:03 / E Hënë, 04 Qershor 2018 / indeksADMonline

Sekretari i LDK-së: Nuk e votojmë platformën për dialogun me Serbinë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka dalë kundër platformës shtetërore për finalizimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë për Indeksonline se qëndrimi i partisë së tij është unik siç edhe kanë deklaruar më parë që nuk e mbështesin platformën e propozuar dhe të prezantuar nga Qeveria për dialog me Serbinë.

“LDK konsideron që është një platformë e përgatitur shumë dobët, jo-serioze dhe pse jo edhe me pretendime jo-kushtetuese. Prandaj, duke pas parasysh të gjitha këto, ne nuk mbështesim një platformë të tillë, kur do të hidhet  në Kuvend ne nuk do ta përkrahim. Qëndrimi politik i joni është gjithmonë qëndrim stoik që merr parasysh interesat e vendit. Ne kemi thënë edhe më herët që kemi vërejtje serioze rreth platformës por për neve është shumë me rëndësi të dihet se çfarë është realizuar deri më tani”, ka thënë Beqiri.

Ai gjithashtu ka shtuar se ka pasur të bëjë edhe me çështjen e besimit, që presidenti i vendit të jetë në krye të kësaj.

“Mbi të gjitha ne jemi bazuar në platformën që e ka dhe mosbesimi ndaj atyre që e kanë prezantuar, nuk dua të lëshohem shumë në detaje pasi së fundi ju keni parë edhe shumë deklarata që sipas mendimit tim janë të papërgjegjshme rreth asaj se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, me kompromise dhe gjëra të tjera”, ka shtuar Beqiri./Indeksonline/