21:59 / E Martë, 26 Tetor 2021 / AR

Sekuestrohet sasi e madhe e kanabisit në Prishtinë

Policia e rajonit të Prishtinës në kuadër të punës së saj për parandalimin e veprimtarive kriminale që po i sjellin dëme shoqërisë, ka intensifikuar veprimet e saja në drejtim të identifikimit dhe kapjes së personave që kanë shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në fushën e narkokriminalitetit.

Kësisoj më  datë 26.10.2021 rreth orës 01:15, në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë policia mbështetur mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, ka kryer një kontroll të personave ndaj tre të dyshuarve me ç’rast ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të substancës narkotike që dyshohet të jetë e llojit kanabis (marihuana).

I dyshuari A. B, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, është arrestuar dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Ndaj tij policia ka iniciuar një hetim për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.

Ndërkohë I dyshuari D. B, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, me rekomandimin e prokurorit të shtetit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndaj tij policia ka iniciuar një hetim për posedim të paautorizuar të substancave narkotike, psikotrope ose analoge.