22:41 / E Mërkurë, 31 Tetor 2018

Selimi: Një qeveri pa shumicë duhet rrëzuar

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi konsideron se Qeveria “Haradinaj”, ose duhet të rrëzohet ose të japë dorëheqje.

Sipas tij, qeveria nuk e ka shumicën në Kuvend, andaj edhe nuk do të duhej të udhëhiqte me vendin.

“Qeveria duhet të japë dorëheqje ose të rrëzohet. Për të parën (dorëheqjen) ata nuk po e kanë nivelin e duhur të përgjegjësisë, kurse për të dytën (rrëzimin) ende opozita nuk i ka numrat e nevojshëm”, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Selimi, konsideron se një qeveri pa shumicë nuk mund të ketë një të ardhme të gjatë në pushtet.

“Një qeveri pa shumicë, pa vizion dhe kaq e dobët nuk ka të ardhme të gjatë në pushtet”, ka shtuar tutje ai.

Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve të reja do t’i kontribuonte në të mirën e vendit.

“Sa më parë që shkojmë në zgjedhje aq më mirë do të jetë për perspektiven e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, vlerësoi Selimi. Vlen të kujtojmë se kohën e fundit dukshëm janë shtuar zërat për zgjedhje të reja, kjo si rezultat i zhvillimeve dhe pakënaqësive të ndryshme gjatë muajve të fundit. /Indeksonline/