23:08 / E Martë, 27 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Selmanaj: Vota ime për demarkacionin, shihet nesër

80 vota duhen gjithsej që Kuvendi i Kosovës të miratoi ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Kjo marrëveshje e cila për 3 vite u diskutua nga pozitë e opozitë, nesër pritet të ratifikohet nga deputetët të cilët në bazë të një konsensusi kanë pranuar që raporti i gjeografit Shpejtim Bulliqit, të jetë orientues.

Kryeministri tani për tani është deklaruar se ka 78 vota, ndërsa i duhen edhe 2 për t’i dhënë fund kësaj marrëveshje.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rasim Selmanaj i cili në seancën e të enjtes është shprehur kundër demarkacionit në versionin pa raportin e Bulliqit, tani kur raporti i tij është orientues, ai për Indeksonline nuk ka shprehur ndonjë pozicionim të qartë pro apo kundër demarkacionit.

Ai është shprehur se vota e tij, do të zbulohet nesër në seancën ku pritet të ratifikohet kjo marrëveshje.

“Unë nuk kam thënë që e nuk votoj demarkacionin. Kam thënë se nëse hiqet nga votimi i demarkacionit, raporti i Shpejtim Bulliqit, jam kundër demarkacionit. Kështu që vota ime shihet nesër. Ne kemi vazhdimisht konsullta dhe do të bëjmë para se me hi në seancë. Qëndrimi për demarkacion do të shihet nesër”, ka thënë Selmanaj.

Seanca për Demarkacionin pritet të mbahet nesër në orën 10:00.

Ambasadori Amerikan, Greg Delawie e shumë diplomatë të huaj iu kanë bërë thirrje deputetëve që të votojnë demarkacionin, si kusht i BE-së që të hiqet regjimi i vizave./Indeksonline/