14:57 / E Mërkurë, 10 Tetor 2018

Serbët mblidhen te Ibri: 2 mijë ditë nga nënshkrimi për Asociacionin

Bashkësia e komunave serbe nuk është çështje politike, por jetësore, ndërsa serbët kurrë nuk do të heqin dorë nga kjo.

Kështu u tha sot në veri të Mitrovicës, gjatë tubimit të organizuar nga Lista Serbe kundër, siç u tha, mos formimit të Asociacionit të komunave serbe.

Kryetari i veriut të Mitrovicës, njëherësh kryetar i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se serbët e Kosovës janë duke pritur qe 2 mijë ditë për realizimin e formimit të Bashkësisë së komunave, për të cilën gjë Prishtina ka premtuar dhe është zotuar.

Sipas tij, serbët nuk do të heqin dorë kurrë nga formimi i Bashkësisë së komunave serbe, derisa shqiptarët, me ndihmën e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, nuk janë të interesuar ta formojnë atë.

Ai ka porositur Brukselin dhe Prishtinën që të bëjnë si të duan, por deri kur, kjo mbetet të shihet.

“Sot jemi tubuar këtu për të shënuar një jubile të pa famshëm të Unionit Evropian, që t’i përkujtojmë se qe 2 mijë ditë jemi duke pritur në realizimin e asaj që Prishtina është zotuar, ndërsa ata të Brukselit na garantuan. Sot vëllezër e motra kemi ardhur në këtë tubim për të thënë se nuk kemi harruar dhe nuk do të lejojmë që harresa të fsheh marrëveshjen rreth formimit të Bashkësisë së komunave serbe. 2 mijë ditë dhe 2 mijë gënjeshtra. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, nga Prishtina arrin porosi se nuk do të respektohet marrëveshja, derisa ne nuk heqim dorë nga kjo marrëveshje, ndërsa fatkeqësisht nga Evropa nuk dëgjohet asgjë… Vëllezër dhe motra, do të jem shumë i sinqertw me ju. Ne nga formimi i Bashkësisë së komunave serbe nuk do të heqim dorë kurrë, por kur të llogaritet e gjitha, më shumë se e qartë se në këto rrethana shqiptarët nuk do ta formojnë dhe për këtë fatkeqësisht kanà « mbështetjen e një pjese të Bashkësisë Ndërkombëtare… Nga ky vend dërgojmë porosi Brukselit dhe Prishtinës. Mundeni si të doni, por deri kur, këtë do ta shohim”, ka thënë Rakiq.

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, kërkoi nga politikanët shqiptarë më shumë guxim politik, duke thënë që ta përmbushin premtimin rreth formimit të Bashkësisë së komunave serbe.

Jevtiq: Bashkësia e komunave serbe për ne nuk është çështje politike, por jetësore (video)

“Ne nga këtu porosisim qartë…Jini sado pak të guximshëm politikisht dhe zotimin e marr zbatojeni në vepër. Sepse kjo është diçka për të cilën po flasim jo vetëm sot dhe jo vetëm këtu, por në çdo rast kur kemi mundësinë për një gjë të tillë gjatë bisedimeve me të gjithë ata të cilët kanë marr një obligim të tillë… Bashkësia e komunave serbe për ne nuk është çështje politike, por jetësore”, theksoi Jevtiq.

Ndërkaq, deputeti i Parlamentit të Kosovës, Igor Simiq, ka bërë të ditur se nëse dikush në Prishtinë mendon që përmes integrimit të asimiloj popullin serb, këtë nuk do ta arrij kurrë.

“Integrimi vërtetë është fjalë e bukur, por ajo që dikush në Prishtinë mendon se me integrim të realizojë asimilimin e popullit serb, një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur as në kohën e bombave dhe plumbave dhe s’do të jetë e mundur as sot”, u shpreh deputeti Simiq.

Tubimi ka zgjatur rreth 20 minuta dhe është vëzhguar nga forca të shtuara të policisë e KFOR-it, ndërsa nuk është shënuar ndonjë incident.

 

Mos i humb