13:30 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Serbia nis hakmarrjen ndaj Maqedonisë dhe Malit të Zi, pas votës pro Kosovës në Interpol

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin ka thënë se Serbia duhet ta ndryshojë raportin ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë sepse në ato shtete nuk ka bashkëpunues e as miq, pasi në Asamblenë e INTERPOL-it shfaqën mbështetje për anëtarësimin e Kosovës.

“I bëj thirrje presidentit Vuçiq ta ndryshojë raportin ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë, duke ua dëshmuar se duhet ta meritojnë miqësinë me Serbinë”, është shprehur ai.

Vulin shtuar se “Mali i Zi dhe Maqedonia në Asamblenë e INTERPOL-it shfaqën mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të policisë. Janë rreshtuar tek Kosova duke qenë të vetëdijshme se e ofendojnë Serbinë”.

“Nëse nuk e kishin guximin të votonin kundër, kanë mundur të abstenojnë dhe të dëshmojnë sa do pak çfarë u ka mbetur në raport me mendimin e Serbisë”, ka deklaruar ministri serb.

“Mali i Zi dhe Maqedonia nuk kanë votuar për Kosovën, kanë votuar kundër Serbisë. Votat e tyre nuk e ndryshuan vendimin e Asamblesë së INTERPOL-it por duhet të ndryshohet raporti i Serbisë ndaj tyre. Presidenti Vuçiq në Qeveritë e Malit të Zi dhe Maqedonisë nuk ka bashkëpuntor të sinqertë, e Serbia nuk ka miq”, është shprehur ai.