13:38 / E Hënë, 03 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Shala: Nuk kemi marrë asnjë vërejtje nga komisionet për projektligjet e FSK-së

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka miratuar sot projektligjet për FSK-në, përkatësisht raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Kryetari i këtij komisioni, Haxhi Shala ka thënë se nuk kanë marrë asnjë vërejtje nga komisionet e përhershme.

Në këtë mbledhje u miratua edhe Projektligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ku deputeti Fatmir Xhelili ka thënë se Projektligji për mbrojtjen e të dhënave personale është i gatshëm të shkojë në lexim të dytë, ndërsa ka pasur një rekomandim, i cili u miratua.

Ndërsa, deputeti Daut Haradinaj parashtroi nevojën që komisioni të shqyrtojë gjendjen alarmante të plaçkitjeve dhe konsumimin e substancave narkotike nëpër shkolla. Ai kërkoi raport me shkrim nga drejtori i policisë, dhe njësive të tjera.

Ndryshe, mbledhja e nesërme, ku është paraparë të raportojë ministri i Punëve të Brendshme, është shtyrë për javën e ardhshme pasi Ekrem Mustafa gjendet jashtë vendit.