23:10 / E Premte, 03 Nëntor 2023 / MSH

ShBA do të dërgojë armatim në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë armë dhe pajisje të tjera në Ukrainë, si ndihme që vendi të përballet me agresionin rus, tha përmes një deklarate të premten, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Armatimet në vlerë prej prej 125 milionë dollarësh, i paraprinë një tjetër ndihme ushtarake për Kievin, që mund të përfshijë sisteme mbrojtjeje me rreze lazer, në vlerën e 300 milionë dollarëve, të cilat do të përdoren për rrëzimin e dronëve rus, sipas një dokumenti të cilit i referohet agjencia e lajmeve Reuters.

Sasia e armatimeve pritet të njoftohet të premten në mbrëmje.

Për dërgimin e armatimeve të fundit po përdoret autoriteti presidencial, i cili lejon Presidentin Joe Biden të transferojnë pajisje dhe armë nga rezervat e Shteteve të Bashkuara, pa miratimin e Kongresit, në përgjigje të një emergjence.

Presidenti demokrat Joe Biden u ka bërë thirrje ligjvënësve amerikanë të miratojnë më shumë ndihmë financiare për Kievin, por ligjvënënsit e Dhomës së Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët, miratuan këtë javë vetëm një paketë në ndihmë të Izraelit, për luftimet ndaj Hamasit.

Paketa financiare për Ukrainën vazhdon të ketë mbështetje dy partiake në Senat, ku shumicën e kanë demokratët./VOA