15:06 / E Mërkurë, 30 Tetor 2019 / indeksADMonline

SHBA-ja pranon gjenocidin armen, Erdogani: Kaq poshtë ka rënë Amerika, që të jetë në mëshirë të Gulenit?

Paqja diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë nuk zgjati shumë. Dy javë para vizitës së presidentit, Recep Tayipp Erdogan, në Shtëpinë e Bardhë, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongres… miratoi thuajse në unanimitet të plotë rezolutën që njeh gjenocidin turk, në Armeni. Gjithashtu është miratuar edhe një tjetër dokument, me të cilin ligjvënësit i kërkojnë presidentit Donald Trump që t’i vendosë sanksione Ankarasë dhe zyrtarëve të saj për ofensivën në Siri.

I menjëhershëm ishte dhe reagimi i Turqisë, që refuzon rezolutën për gjenocidin armen. Arsyetimin e ligjvënësve amerikanë, Erdogani e konsideron pa baza historike. “Ne e konsiderojmë një akuzim të tillë si fyerjen më të rëndë kundër popullit tonë. Shpresoj që parlamenti turk do të ndërmarrë menjëherë një kundërpërgjigje ndaj këtij vendimi, i cili është kundër realitetit historik”, tha Erdogani.

Ministria e Jashtme e Ankarasë thirri dhe ambasadorin amerikan për shpjegime, ndërsa është kritikuar ashpër dhe rezoluta për sanksionet e reja. “Rezoluta tjetër e miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve, duke përdorur Operacionin e Pranverës së Paqes është një justifikim, për të më vendosur sanksione mua, familjes dhe ministrave të mi bazuar në pretendime absurde”, shtoi presidenti turk.

Erdogani pretendoi se akuzat dhe sanksionet kundër tij janë nxitur nga kleriku që jeton në ekzil në Shtetet e Bashkuara, Fetullah Gylen.“Kaq poshtë ka rënë Amerika që të jetë në mëshirë të FETO-s?”