Shefi i “Google”-it bën thirrje për rregullore mbi inteligjencën artificiale
Shefi ekzekutiv i kompanisë “Google”, Sundar Pichai, ka bërë thirrje të hënën për një qasje më të balancuar në rregulloret e inteligjencës artificiale, duke i thënë audiencës evropiane se teknologjia ka përfitime por edhe “pasoja negative”.
Komentet e tij vijnë në kohën kur ligjvënësit dhe qeveritë janë duke konsideruar seriozisht mënyra për të kufizuar përdorimin e inteligjencës artificiale.
“Nuk kam asnjë dyshim se inteligjenca artificiale duhet të rregullohet. Pyetja është se si t’i qasemi më së miri asaj”, ka thënë midis tjerash Pichai.
Ai ka theksuar se qeveritë kanë rol të madh në këtë çështje, pasi Bashkimi Evropian, ashtu sikurse Shtetet e Bashkuara duhet të nisin të hartojnë rregullore për këtë çështje.
Më 2018, “Google” është zotuar për të mos përdorur inteligjencë artificiale në aplikacionet që lidhen me armët, vëzhgimet që shkelin normat ndërkombëtare apo punë që shkelin të drejtat e njeriut.