16:30 / E Hënë, 14 Maj 2018 / indeksADMonline

Shefi i UNMIK-ut përshëndet ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, në fjalën e tij para KS të OKB-së, ka përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, i cili tregon përkushtimin e Kosovës për perspektivën evropiane.

Ai në raportin mbi punën e UNMIK-ut për periudhën nga 17 janari deri më 15 prill i fton krerët në Beograd dhe Prishtinë që të vazhdojnë të trajtojnë çështjet e kontestuara përmes dialogut dhe demonstrimit të vullnetit politik të kërkuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Tanin po ashtu ka shprehur shqetësim rreth përparimit të ngadaltë për hetimet në lidhje me vrasjen e liderit politik serb Oliver Ivanoviq.

Sipas tij, UNMIK-u do të vazhdojë punën e vet me agjendën për afirmimin e të drejtave të grave dhe se është rëndësishme që të vazhdojë puna me rininë përmes UNICEF-it dhe shoqërisë civile.

“Kosova vazhdon të jetë e fokusuar në sistemin e drejtësisë dhe EUKLEX-i do t’i dorëzojë të gjitha rastet e deritanishme te autoritetet lokale, ndërsa jam i lumtur se po zbatohet ligji për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, tha ai.