14:50 / E Enjte, 26 Janar 2023 / S Z

Shëndetësia në kolaps, për 24 orë dy dorëheqje e një shkarkim

Gjendja në shëndetësi po rëndohet dhe më tej. Vetëm brenda 24 orëve kanë ndodhur dy dorëheqje dhe një shkarkim në këtë sektor. Është U.D i drejtorit të Klinikës së Onkologjisë Arben Bislimi, i cili mëngjesin e së mërkurës kishte paraqitur dorëheqjen, nga pozita që mbante. E Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) i cili konfirmoi dorëheqjen e tij, tha se dorëheqja e Bislimit ka ardhur për shkaqe personale.  Pak orë më vonë u shkarkua dhe kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës Arianit Jakupi. Por nuk përfundoi me kaq. Pa u bërë as 24 orë, dorëheqje ofroi  dhe Drejtoresha e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Pranvera Zejnullahu-Raçi, e cila dorëheqjen e ka paraqitur mëngjesin e së enjtes.

Kryetari i Odës së mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu  ka thënë për “IndeksOnline” se dorëheqjet kanë ardhur si pasojë e reflektimit të një gjendje të rëndë. Ai tha se klinika Onkologjisë ka shumë mungesa dhe se është vështirë të menaxhohet nga drejtorë, të cilët kanë dhe s’kanë kompetenca.  

“Në Onkologji është reflektim i gjendjes së rëndë. Është shumë vështirë të menaxhohet një institucion, i cili lëngon nga shumë mungesa. Është shumë e vështirë sidomos është shumë e kuptueshme tek menaxheret e klinikave, të cilët kanë dhe s’kanë asnjë kompetencë”, tha ai.

Ndërkaq thotë se duhet të bëhen reforma të thella, ndryshe do të vazhdohet me dorëheqje dhe dështime.

“E  sa i përket SHSKUK-së siç e kam thënë dhe më herët, nuk menaxhohet një gjigant i tillë prej vetëm një njeri. Le të jetë ai kushdo, do të dështojë. Ne kemi kërkuar reformë të thellë sa i përket SHSKUK-së , delegimit te klinikave dhe decentralizimit dhe kthimit të statutit të QKUK- së ashtu siç ka qenë e deleguar përpara. Struktura e tillë qysh është tani SHSKUK-ja, vetëm do të komplikojë dhe vjen dështim pas dështimi, tek çdo njeri që do ta marrë guximin të konkurroi, apo të marrë përgjegjësinë të jetë në krye të këtij institucioni. Me këtë kornizë ligjore që e ka SHSKUK-ja, është vështirë të menaxhohet. Presioni vjen për shkak të mos pasjes fuqi, që të menaxhohet gjithë ky gjigant “, tha ai.

E ish ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, thotë se degradimi i këtij sektori nuk ka të ndalur. Sipas tij dorëheqjet po bëhen për të ruajtur së paku një etikë profesionale, pasi që në këtë sektor ka interferim të grupeve korruptive dhe se të dorëhequrit nuk kanë mundur t’i përballojnë interferimeve të tilla.

“Nuk është duke u ndalë degradimi. Më e keqja është interferimi i grupeve të interesit edhe interferimi i grupeve korruptive, qoftë në tendencën për të krijuar monopol të barnave, material shpenzues dhe tash këto ndërhyrje, nuk po mund të iu shpëtojnë as ata vet,  të cilët janë bërë pjesë e këtij keqmenaxhimi. Edhe u.d e drejtorit të  SHSKUK-së edhe drejtorët e klinikave, siç duket tentojnë ta ruajnë së paku një etikë profesionale, duke dhënë dorëheqje dhe duke u larguar nga një e keqe, e cila tash e ka katandisur në udhëheqje sektorin e shëndetësisë. Ky sektor  tash është kapur nga një grup korruptiv, i cili është duke e degraduar në total sektorin e shëndetësisë. Së paku dikush ka marrë përgjegjësi, në ndërgjegjen morale të tyre “, tha ai./IndeksOnline/